Nisma 16+1 nxit marrëdhëniet kulturore Kinë - Shqipëri, një delegacion artistësh viziton Tiranën

2017-05-19 15:18:28 CRI Komenti juaj Printoni

Në vijim të strategjisë së diplomacisë kulturore që zhvillon Ministria e Kulturës, këto ditë ndodhet në Tiranë delegacioni kinez, i cili ka në përbërjen e tij drejtues të lartë të Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kinës, menaxherë arti, drejtorë festivalesh, profesorë dhe lektorë të universiteteve. Kjo vizitë realizohet në kuadër të nismës për Kulturën 16+1, ku bëjnë pjesë vendet e Europës Qendrore- Lindore dhe Kina.

Delegacioni u prit nga Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro , e cila u shpreh se "Bashkëpunimet kulturore me Kinën po zhvillohen edhe më tej në kuadër të nismës 16+1. Jemi të gatshëm të mbështesim bashkëpunimin e drejtpërdrejtë midis institucioneve, organizatave profesionale dhe atyre jofitimprurëse në fushën e kulturës dhe artit, në shkëmbimin e përvojave më të mira dhe realizimin e politikave në të gjitha fushat dhe nivelet kulturore, për të nxitur më tej ndërveprimin kulturor mes palëve".

Delegacioni kinez, i cili po zhvillon një tur hulumtimi në vendet e Ballkanit ka për qëllim të eksplorojë vendet e artit, duke krijuar kontakte të drejtpërdrejta dhe marrëdhënie pune me homologët vendas, në mënyrë që të lehtësohet më mirë mirëkuptimi i ndërsjellë dhe ndërtimi i shkëmbimeve më të forta institucionale dhe të ndihmojë produksionet shqiptare të performojnë në tregun kinez.

Delegacioni kinez mori pjesë në performanca të ndryshme skenike që rroknin një gamë të gjerë artistike duke filluar nga muzika klasike, muzikë moderne (jazz, pop, muzikë botërore), muzikë korale, opera, balet, teatër, folklor, etj, në një koordinim të Ministrisë së Kulturës, për të prezantuar produksione artistike të institucioneve shtetërore dhe skenës së pavarur artistike.

Pas nënshkrimit të Deklaratës së përbashkët të Nismës për Kulturën 16+1 ku bëjnë pjesë vendet e Europës Qendrore- Lindore dhe Kina, në nëntor të vitit 2015 në Sofje, Ministria e Kulturës ka intensifikuar programin e bashkëpunimit kulturor . Në këtë kornizë janë zhvilluar rreth 6 forume të përbashkëta në fusha të ndryshme të menaxhimit të artit, të letërsisë, të arteve pamore, të teatrit dhe të botimit reciprok të letërsive të të dy vendeve.

Mrekulli
Lajmet Kryesore