Ilir Meta zgjidhet president i Shqipërisë, bën thirrje për stabilitet

2017-04-29 09:49:07 xinhua Komenti juaj Printoni

Fotografitë: REUTERS/Florion Goga

Shqipëria zgjodhi të premten kreun e Parlamentit Ilir Meta, si President të Republikës së Shqipërisë.

Kuvendi, i mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme pasditen e të premtes, votoi për kandidaturën e Ilir Metës me 87 vota pro dhe 2 kundër. Gjithsej votuan 89 deputetë, ndërkohë që për zgjedhjen e kreut të shtetit në raundin e katërt nevojiten 71 vota pro.

Kandidaturën e Metës e kërkuan 23 deputetë. Në tre raundet e mëparshme të votimit nuk u paraqit asnjë kandidat.

Në fjalimin e tij të parë si president, zoti Meta u bëri thirrje forcave politike në vend të bashkohen për të garantuar stabilitetin dhe legjitimitetin e institucioneve.

"Unë edhe një herë tjetër dua t'u bëj apel të gjithëve të bëjmë çdo gjë për stabilitetin e vendit e legjitimitetin e institucioneve tona në mënyrë që të mos sakrifikojmë të gjithë arritjet që vendi ka njohur deri tani si dhe të ardhmen europiane," tha ai.

Ilir Meta do të mbajë postin e Presidentit të Republikës për periudhën 2017-2022. Ai do ta marrë zyrtarisht detyrën më 24 korrik 2017. (ATSh/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore