Përshkallëzohet gjendja në Maqedoni, protestuesit dhunojnë deputetët

2017-04-28 10:27:00 CRI Komenti juaj Printoni
Protestuesit në Maqedoni hynë me forcë të enjten në mjediset e parlamentit pasi një deputet shqiptar u zgjodh kryetar i legjislativit.

Nga përleshjet u plagosën 10 veta, duke përshirë dhe kren e Partisë Socialdemokrate Zoran Zaev, i cili mori plagë të rënda në fytyrë. Protestuesit që janë mbështetës të ish-kryeministrit Nikola Gruevski të partisë VMRO, kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve.

Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov thirri me urgjencë një takim të udhëheqësve të partive politike parlamentare "për të shqyrtuar gjendjen e tanishme dhe për të gjetur një rrugëzgjidhje". Takimi do të mbahet nga kabineti i Ivanovit të premten.

Reagime pati edhe nga Bashkimi Europian. Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, tha se dhuna nuk ka vend në sallën e parlamentit.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë tha në një deklaratë për shtyp se po ndiqte me shqetësim të madh gjendjen në Maqedoni. Deklarata e quajti "të papranueshme" dhunën ndaj përfaqësuesve të zgjedhur të popullit maqedonas.

Kryeministri shqiptar Edi Rama u bëri thirrje udhëheqësve politikë të Maqedonisë të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin retorikën që mund t'a përshkallëzojë gjendjen. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore