Kina: Shtëpia e Bardhë, sinjal pozitiv për çështjen koreane

2017-04-27 20:41:08 CRI Komenti juaj Printoni

Mbledhja me dyer të mbyllura në Shtëpinë e Bardhë tregon dëshirën për zgjidhjen paqësore e me konsultime të problemit të Gadishullit Korean dhe është një sinjal pozitiv që duhet të përshëndetet, u shpreh të enjten në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Geng Shuang.

Presidenti amerikan Donald Trump ftoi të mërkurën anëtarët e Senatit të marrin pjesë në një mbledhje me dyer të mbyllura në Shtëpinë e Bardhë lidhur me gjendjen në Gadishullin Korean. Me anë të kësaj mbledhjeje, administrata e Trumpit shpreson që të shtojë presionin ndaj Koresë së Veriut, nëpërmjet sanksioneve më të ashpra. Lidhur me këtë, zëdhënësi Geng Shuang u shpreh:

"E kemi vënë re qëndrimin e ShBA-së dhe mendojmë se kjo tregon dëshirën e ShBA-së për zgjidhjen paqësore të problemit bërthamor të Gadishullit Korean nëpërmjet konsultimeve. Mendojmë që ky është një sinjal pozitiv dhe duhet të përshëndetet. Dialogu dhe konsultimet janë rruga e vetme e drejtë për zgjidhjen e problemit bërthamor të Gadishullit Korean dhe një zgjidhje paqesore përputhet me interesat maksimale të palëve. Tani gjendja në Gadishull është e ndërlikuar dhe palët duhet të ruajnë gjakftohësinë dhe të mos ndërmarrin veprime që shtojnë tensionet. Shpresojmë që palët do të përpiqen për zbutjen e tensioneve në Gadishullin Korean. ShBA-ja është një palë kryesore e problemit bërthamor të Gadishullit Korean, prandaj shpresojmë dhe mirëpresim që ShBA-ja të bëjë përpjekjet e duhura për zgjidhjen e këtij problemi, të luajë rolin e duhur dhe të mbajë përgjegjësitë përkatëse."

Duke folur për rezolutën e Këshillit të Sigurimit mbi Korenë e Veriut, Geng Shuang u shpreh:

"Kina ka zbatuar gjithmonë rezolutat e Këshillit të Sigurimit mbi Korenë e Veriut. Kina ka formuar një mekanizëm të plotë dhe efikas për zbatimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit, çka vlerësohet gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar. Kina është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ne zbatojmë rezolutat e miratuara nga ky Këshill mbi Korenë e Veriut, sepse ne zbatojmë detyrimet e duhura ndërkombëtare dhe nuk po veprojmë nën presion nga jashtë." (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore