2017-04-27 17:40:21 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Presidenti rus Vladimir Putin u shpreh se mirëpret takimin me homologun e vet kinez Xi Jinping në Forumin për Bashkëpunimin Ndërkombëtar lidhur me "Një brez, një rrugë", që do të zhvillohet në Pekin muajin e ardhshëm.
Në një takim me anëtarin e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës Li Zhanshu në Moskë të mërkurën, presidenti i Rusisë tha se vendi i tij mbështet nismën e Kinës "Një brez, një rrugë".
Putini vuri në dukje se kontaktet e nivelit të lartë mes dy vendeve janë intensifikuar, shkëmbimet në fusha të ndryshme janë nxitur në mënyrë të qëndrueshme dhe bashkëpunimi në fushën e tregtisë, të shkëmbimeve njerëzore dhe në nivelet e qeverisjes vendore po thellohet.
Kreu i Kremlinit tha se është i kënaqur me zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke theksuar se bashkëpunimi dhe besimi i ndërsjellë kanë arritur nivelin më të lartë në histori.
Li Zhanshu vuri në dukje nga ana e tij se partneriteti i gjithanshëm strategjik ndërmjet të dy vendeve është në periudhën më të mirë në histori dhe shërben si shembull i një lloji të ri marrëdhëniesh ndërkombëtare, që ka në thelb bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella. Li shtoi se pavarësisht luhatjeve të situatës ndërkombëtare, Kina dhe Rusia nuk do të ndryshojnë politikën e tyre të thellimit të partneritetit të gjithanshëm strategjik, objektivin për të realizuar zhvillimin e përbashkët, si dhe vendosmërinë e tyre për të ruajtur bashkërisht drejtësinë ndërkombëtare e për të siguruar paqen dhe stabilitetin global.