MJK: Vendosja e THAAD-it dëmton sigurinë strategjike të Kinës

2017-04-26 19:16:02 CRI Komenti juaj Printoni

Vendosja e sistemit antiraketor THAAD nga ShBA-ja dhe Koreja e Jugut do të minojë balancën strategjike në rajon, do të acarojë më tej tensionet në Gadishullin Korean dhe do të dëmtojë rëndë interesat dhe sigurinë strategjike të Kinës, u shpreh të mërkurën në një konferencë shtypi në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Geng Shuang.

Sipas Geng, Kina do të marrë në mënyrë të vendosur masat e duhura për të mbrojtur interesat e veta.

Mediat koreanojugore njoftojnë se në mëngjesin e 26 prillit, forcat amerikane në Korenë e Jugut filluan dërgimin e pjesëve të sistemin THAAD për instalim. Ushtria koreanojugore bën të ditur se janë mbartur pajisje të ndryshme të sistemit THAAD, duke përfshirë platformat e lëvizshme të lëshimit, sistemin e radarëve X, sistemin antiraketor, dhomën e komandimit dhe gjeneratorët.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i diplomacisë kineze Geng Shuang tha se Pekini u ka shprehur shqetësimin e vet shumë serioz autoriteteve amerikane dhe atyre të Koresë së Jugut.

"Vendosja nga ShBA-ja dhe Koreja e Jugut e sistemit antiraketor THAAD në Korenë e Jugut do të dëmtojë balancën strategjike të rajonit, do të acarojë më tej tensionet në Gadishull dhe nuk është në të mirë të një Gadishulli Korean pa armë bërthamore dhe të paqes e stabilitetit të këtij rajoni. Krahas kësaj, kjo shkon kundër përpjekjeve të palëve për zgjidhjen e problemit nëpërmjet konsultimeve dhe do të dëmtojë rëndë interesat e sigurinë strategjike të Kinës. Kina i nxit me forcë ShBA-në e Korenë e Jugut të ndalojnë veprimet që tensionojnë rajonin dhe dëmtojnë sigurinë strategjike të Kinës, të anulojnë dislokimin e sistemit THAAD e të tërheqin pajisjet përkatëse. Kina do të marrë me vendosmëri masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e veta," tha zëdhënësi Geng Shuang.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore