Kinë, zhvillimi i biznesit elektronik tërheq vëmendje

2017-04-25 10:21:46 CRI Komenti juaj Printoni

Java e biznesit elektronik (E-biznes) e zhvilluar nga Konferenca mbi Tregtinë dhe Zhvillimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNCTAD) u mbajt këtë javë në Gjenevë të Zvicrës. Tema e kësaj here është "E-biznesi gjithpërfshirës". E-biznesi i Kinës është një nga temat kryesore në këtë aktivitet.

Sekretari i përgjithshëm i UNCTAD-it Mukhisa Kituyi u shpreh në një konferencë për shtyp që u zhvillua pak kohë më parë:

"Njerëzit kanë parë zhvillimin e vrullshëm të E-biznesit. Në vitin 2015, përmasat e E-biznesit në mbarë botën arritën në 25 trilionë dollarë amerikanë, 90% ndër të cilat janë nga E-biznes komercial. Ndërmarrjet kanë realizuar rritjen e madhe të E-biznesit."

Sipas të dhënave të publikuara kohët e fundit nga UNCTAD-i, në vitin 2015, vëllimi i përgjithshëm i E-biznesit të botës arriti në 25 trilionë dollarë amerikanë, duke e shndërruar këtë formë në biznesin më të madh në botë. SHBA-ja është tregu më i madh i E-biznesit me një vëllim të përgjithshëm shitjesh mbi 7 trilionë dollarë. Japonia renditet në vendin e 2-të, me 2.4 trilionë dollarë dhe pasohet nga Kina në vendin e 3-të, me afro 2 trilionë dollarë.

Megjithëse SHBA-ja ndodhet në vendin e parë në sektorin B2B, Kina zë vendin e parë në sektorin B2C. UNCTAD-i thotë se E-biznesi ka ofruar një shans si kurrë më parë.

Megjithëse në vendet e zhvilluara ka patur zhvillim të shpejtë, E-biznesi ende ndodhet në hapat e para në vendet në zhvillim.

Në këtë drejtim, Kina ka përvoja të suksesshme. Më 24 prill, zv./presidenti i grupit Alibaba, një nga platformat më të mëdha elektronike të botës, Gao Hongbing prezantoi gjendjen e zhvillimit të E-biznesit në Kinë, duke shpërndarë përvojat e E-biznesit në zonat rurale të Kinës. Gao Hongbing shprehet se E-biznesi ka ofruar mundësi të madhe për zhvillimin që favorizon mbarë shoqërinë.

"Çfarë vlerash ka sjellë E-biznesi për zhvillimin? Unë mendoj që së pari, vlera është në biznesin komercial. Platforma e grupit Alibaba ka mbështetur mbi 10 milionë dyqane virtuale në internet. Ndër to, 97% ka më pak se 5 persona dhe 95% ndër to bëjnë investime fillestare me më pak se 30 mijë juanë. Zhvillimi i platformës së E-biznesit për më shumë se 10 vjetë ka krijuar 30.83 milionë vende pune dhe numri i korrierëve në Taobao është afro 3 milionë," thotë Gao Hongbing.

Këtë herë, Java e E-biznesit do të zhvillojë afro 40 seminarë dhe aktivitete të ndryshme.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore