2017-04-25 10:12:10 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Shtetet e Bashkuara lajmëruan sanksione ndaj mbi 200 shkencëtarëve sirianë, pas dyshimeve se qeveria e presidentit Bashar al-Assad përdori në një sulm armë kimike.
Sipas një deklarate, të gjithë shkencëtarët janë pjesë e Qendrës së Kërkimeve Shkencore të Sirisë, që thuhet se merret me ndërtimin e armëve jokonvecionale si dhe mjetet për t'i përdorur ato.
Thuhet gjithashtu se shkencëtarët në fjalë, me eksperiencë në kimi, kanë punuar për një program për ndërtimin e armëve kimike për 5 vjet.
Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, tha se sanksionet dërgojnë një mesazh të fortë se Uashingtoni nuk do të lejojë përdorimin e armëve kimike.
"Departamenti i Thesarit, së bashku me Departamentin e Shtetit dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, do të vazhdojë të ndjekin dhe mbyllin të gjitha rrjetet e financimit apo individët e përfshirë në prodhimin dhe përdorimin e armëve kimike."
Si pjesë e sanksioneve do të ngrihen të gjitha asetet dhe pronat e individëve të përfshirë në listë, ndërsa kompanitë amerikane janë të ndaluara të punojnë me ta.
Lajmërimi i sanksioneve vjen tre javë pas një sulmi të dyshuar me armë kimike në Khan Sheikhoun, që vrau mbi 80 civilë.
Dy ditë më pas ShBA-ja lëshoi 59 raketa Tomahawk ndaj një baze ajrore siriane me qëllim neutralizimin e arsenalit të armëve kimike. (Leftion Peristeri)