Zv./kryeministri i Kinës Zhang Gaoli viziton Shqipërinë

2017-04-18 09:02:01 CRI Komenti juaj Printoni

Presidenti Bujar Nishani priti të hënën në një takim të veçantë zëvendëskryeministrin kinez, Zhang Gaoli.

Zhang Gaoli përcolli përshëndetjet dhe urimet e kryetarit të Shtetit të Kinës Xi Jinping, duke thënë se Kina dhe Shqipëria kanë miqësi tradicionale dhe se Shqipëria është një nga vendet e para që vendosi marrëdhëniet diplomatike me Kinën. Vitet e fundit, Kina dhe Shqipëria kanë ruajtur zhvillim të qëndrueshëm dhe të dy palët kanë pasur shkëmbime të shpeshta, duke shtuar besimin e ndërsjellë politik dhe bashkëpunim në ekonomi, investime, kulturë.

Kina është e kënaqur nga gjendja e mirë e marrëdhënieve dypalëshe dhe është e gatshme të punojë me Shqipërinë, për konsolidimin e mëtejshëm të miqësisë tradicionale Kinë-Shqipëri, për thellimin e bashkëpunimit pragmatik dhe respektimin e kujdesin ndaj interesave thelbësore të njëra-tjetrës, për të zhvilluar më tej marrëdhëniet dypalëshe.

Zhang Gaoli u shpreh se nisma "Një brez, një rrugë" e paraqitur nga kryetari Xi Jinping është e hapur dhe përfshirëse dhe i përmbahet parimit të bashkëbisedimeve, bashkëndërtimit dhe bashkëndarjes. Shqipëria ndodhet në një pozicion të rëndësishëm të Europës Juglindore me epërsi të dukshme në transportin detar dhe rrugor dhe është një vend i rëndësishëm përgjatë brezit ekonomik dhe rrugës detare të mëndafshit.

Kina është e gatshme që nën mekanizmin e "Bashkëpunimit 16+1", të nxisë bashkëpunimin dypalësh në fushat kryesore, si infrastrukturë, industri, turizëm dhe bujqësi, të nxisë nënshkrimin e një memorandumi ndërqeveritar mirëkuptimi për nxitjen e përbashkët të ndërtimit "Një brez, një rrugë", të shtojë më tej planifikimin dhe drejtimin e bashkëpunimit pragmatik dypalësh dhe të përpiqet për më shumë rezultate konkrete në të mirë të të dy vendeve dhe popujve.

Presidenti Bujar Nishani i kërkoi z. Zhang të përcjellë përshëndetjet dhe urimet e tij më të mira për presidentin kinez Xi Jinping. Ai theksoi se marrëdhëniet e miqësisë së mirë me Kinën kanë një rëndësi të veçantë për Shqipërinë. Pala shqiptare i vlerëson arritjet e mëdha dhe rolin e rëndësishëm që ka luajtur Kina në çështjet ndërkombëtare dhe shpreson se Kina do të japë një ndihmesë edhe më të madhe për ekonominë botërore dhe për zhvillimin e Ballkanit. Pala shqiptare i qëndron me vendosmëri politikës së "Një Kine" dhe është e gatshme të përpiqet së bashku me palën kineze për të forcuar më tej shkëmbimet e nivelit të lartë dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme, për të nxitur ngritjen e marrëdhënieve dypalëshe në një nivel më të lartë.

Po të hënën z. Zhang Gaoli zhvilloi bisedime edhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Numri i dy i qeverisë kineze i përcolli z. Rama përshëndetjet e kryeministrit Li Keqiang. Zhang Gaoli tha se pala kineze është e gatshme të forcojë ndërthurjen e strategjive të zhvillimit dhe bashkëpunimin konkret në fusha të ndryshme. Kina dëshiron të diskutojë lidhur me idetë, mjedisin, mekanizmat, mënyrat dhe projektet e bashkëpunimit, të identifikojë pikat e bashkëpunimit dhe të zgjerojë fushat me interes të përbashkët, për të realizuar zhvillimin dhe përparimin e ndërsjellë. Pala kineze është e gatshme për zgjerimin e tregtisë dypalëshe dhe të nivelit të investimeve. Ajo dëshiron të zgjerojë më tej importin e mallrave shqiptare dhe i nxit kompanitë kineze të shtojnë investimet në Shqipëri, të marrin pjesë aktivisht në projektet madhore të palës shqiptare që janë në planifikim dhe zbatim, në fushat e infrastrukturës, energjetikës etj., duke përfshirë autostradat, vepra ujore, zona të zhvillimit ekonomik etj. Kina mendon se duhet të thellohen më tej shkëmbimet kulturore e njerëzore dhe të nxitet aktivisht bashkëpunimi në fushat e arsimit, të film-televizionit, të turizmit etj., për të forcuar themelet e miqësisë mes të dy popujve.

Zhang Gaoli vuri në dukje se Kina e vlerëson Shqipërinë për përkrahjen aktive ndaj mekanizmit të "Bashkëpunimit 16+1" dhe mirëpret pjesëmarrësjen e udhëheqësve shqiptarë në samitin e liderëve dhe në veprimtari të tjera në kornizën e "Bashkëpunimit 16+1". Kina është e gatshme të vërë në jetë me palët e ndryshme rezultatet e Samitit të Rigës dhe të nxitë bashkëpunimin ekonomiko-tregtar, arsimor, tekniko-shkencore, kulturor, bujqësor etj. Pala kineze po ashtu dëshiron të zgjerojë bashkëpunimin në sektorët e logjistikës, tregtisë elektronike, të ndërmarrjeve të mesme e të vogla, të mbrojtjes së mjedisit etj. dhe do të nxitë projektet e mëdha të bashkëpunimit, me qëllim që mekanizmi i "Bashkëpunimit 16+1" t'i sjellë popullit kinez e popujve të vendeve të Europës Qendrore e Lindore më shumë përfitime.

Kryeministri shqiptar Edi Rama nga ana e tij përcolli nëpërmjet z. Zhang Gaoli përshëndje për homologun e vet kinez Li Keqiang. Rama u shpreh se midis Shqipërisë e Kinës ka një miqësi të thellë tradicionale, duke shtuar se vizita e zv./kryeministrit Zhang Gaoli në Shqipëri do të nxitë zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Shqipëria e mirëpret zhvillimin e bashkëpunimit me Kinën dhe i fton kompanitë kineze të investojnë në Shqipëri. Z. Rama shprehu shpresën se, në kornizën e nismës "Një brez, një rrugë" dhe të "Bashkëpunimit 16+1", dy palët do të arrijnë projekte bashkëpunimi të frytshëm, për të nxitur arritjen e rezultateve të mëtejshme.(Jiang Lei/ Vera/Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore