Zv./kryeministri kinez bën thirrje për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik Kinë – Shqipëri

2017-04-17 20:05:17 CRI Komenti juaj Printoni

Kryeministri shqiptar Edi Rama priti të hënën në një takim zv./kryeministrin e Kinës, Zhang Gaoli, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë dyditore.

Në një njoftim të shkurtër, vetë kryeministri Rama tha se pati "një mëngjes pune shumë inkurajues, ku u fol konkretisht për një hov të ri në marrëdhëniet ekonomike e tregtare, në këtë fazë të re të zhvillimit të vendit ku sipas shkëlqesisë së Tij, Zhang Gaoli, reformat e qeverisë po japin rezultate mbresëlënëse."

Sipas njoftimit të qeverisë shqiptare, zëvendëskryeministri i Kinës shprehu urime për punën e kryer në këto vite dhe reformat e ndërmarra. Pala kineze theksoi se pozicioni i Shqipërisë në rajon është strategjik dhe se Pekini e sheh të nevojshme rritjen e mekanizmave të bashkëpunimit ekonomik për të nxitur investimet private.

Aktualisht, Kina ka disa nisma bashkëpunimi në rajon dhe Shqipëria përfshihet në platformën'16+1' midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore dhe atë "Një brez, një rrugë".

Hapësira e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve mund të zgjerohet edhe në kuadër të këtyre nismave, thekson njoftimi për shtyp.

Kryeministri Rama, duke evidentuar faktin se Kina ka aktualisht investimet më të mëdha në Shqipëri, theksoi se pret që këto investime të jenë pikë referimi për të mirëpritur investime të tjera.

Palët vendosën se duhet intensifikuar puna e Komisionit Ekonomiko-Tregtar, një nismë e dy vendeve që shqyrton potencialet e mundësitë për bashkëpunim.

Në takim u dakordësua që ministrat e linjës të shkëmbejnë listat e projekteve strategjike në Shqipëri, për të parë hapësirat ku mund të zgjerohet bashkëpunimi. Ministrja e Ekonomisë u ngarkua si kryetare e Komisionit të Bashkëpunimit Ekonomiko-Tregtar midis dy vendeve. Zyra e Kryeministrit së bashku me ambasadoren e Kinës në Tiranë do të ndihmojnë veprimtarinë e Komisionit.

Palët vendosën në parim mbajtjen e një tjetër takimi pas dy muajsh në Kinë, për të parë ecurinë e Komisionit me projekte konkrete për bashkëpunim midis dy shteteve.

Vizita e zoti Zhang dhe e delegacionit që e shoqëron, është e nivelit më të nivelit më të lartë zyrtar të Kinës që ka e ka vizituar Shqipërinë në 51 vitet e fundit.

Në një fotografi të takimit të postuar nga zoti Rama, paraqitet edhe shkëmbimi i dhuratave nga dy udhëheqësit politikë. Kryeministri shqiptar mori si dhuratë një top basketbolli nga ylli kinez i NBA, Jao Ming, ndërsa vetë i dhuroi, siç e quani ai "vizitorit më të rëndësishëm kinez të 25 vjetëve të fundit", albumin e pikturave "EDI RAMA". (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore