Zv./kryeministri i Kinës Zhang Gaoli nis vizitën në Tiranë

2017-04-16 21:40:46 CRI Komenti juaj Printoni

Zv./kryeministri i Parë i Këshillit të Shtetit të Republikës Popullore të Kinës, Anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës Zhang Gaoli mbërriti të dielën për një vizitë dyditore (16-17 prill) në Shqipëri, në krye të delegacionit të nivelit më të lartë zyrtar kinez në 51 vitet e fundit.

Ai do të pritet të hënën në takime zyrtare nga presidenti i Republikës Bujar Nishani dhe kryeministri Edi Rama.

E konsideruar si një ngjarje e madhe për marrëdhëniet kino-shqiptare, vizita e z. Zhang Gaoli ka në fokus nxitjen e mëtejshme të zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe në kuadër të Nismës "Brezi dhe Rruga".

Këtë e konfirmoi përmes një interviste për ATSH-në pak ditë më parë, Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës, Jiang Yu. "Në një idiomë kineze thuhet që "Bëje planin tënd vjetor në pranverë", vizita e zv./kryeministrit kinez Zhang Gaoli, pa diskutim do të ketë kuptim të rëndësishëm historik e realist mbi thellimin e miqësisë tradicionale kino-shqiptare dhe të besimit reciprok mes dy palëve. Vizita do të shërbejë gjithashtu për të nxitur të dy vendet të arrijnë konsensuse të reja rreth bashkëpunimeve konkrete në fusha të ndryshme në kohën e re, gjë që do t'u sjellë vitalitet të ri të dy vendeve", vlerëson ambasadorja Jiang Yu.

Ambasadorja Yu vlerësoi se "nën përpjekjet e përbashkëta kino-shqiptare, marrëdhëniet dypalëshe kanë hyrë në pistën e zhvillimit të shpejtë". "Në vitin 2016, me anë të shkëmbimeve dhe bashkëpunimeve në të gjitha nivelet, janë nënshkruar 8 marrëveshje dypalëshe, që mbulon fushën e diplomacisë, kulturës, të burimeve ujore, të burimeve njerëzore dhe ekonomiko-teknike; vëllimi i përgjithshëm i tregtisë dypalëshe arriti në 334 milionë dollarë, duke shënuar një rritje prej 9.8% në krahasim me vitin 2015; kryerja e blerjes së aeroportit ndërkombëtar të Tiranës dhe kompanisë së naftës "Bankers Petroleum" nga kompanitë kineze, shndërron Kinën në një prej partnerëve më të rëndësishme tregtarë dhe një prej investitorëve kryesorë për Shqipërinë; ndërsa bashkëpunimet e dy vendeve në aspektin arsimor, kulturor, rinor, të botimit, mediatik, si dhe këmbimet e bashkëpunimet e pushtetit vendor janë në rritje të vazhdueshme", tha ajo.

Ndërsa Iljaz Spahiu, sinolog dhe ekspert për çështjet me Kinën tha në një intervistë në Ora News se kjo është vizita më e rëndësishme që bëhet në Shqipëri që nga viti 1966. "Është një vizitë me një status të dyfishtë, vizita më e rëndësishme që bëhet në Shqipëri që nga viti 1966, para 51 vjetësh, ku vizita e fundit e një zyrtari të lartë kinez ka qenë ajo e kryeministrit. Zv./kryeministra kanë ardhur dhe përpara, por ai vjen me një status të dyfishtë pasi është dhe anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Partisë Komuniste, që është kupola më e lartë drejtuese e vendit dhe kupola më e lartë vendimarrëse e Kinës", shton ai.

Spahiu e sheh rëndësinë e kësaj vizite në tre plane. "Delegacioni i lartë kinez që viziton Shqipërinë tregon seriozitetin me të cilin Kina i trajton dhe i ka trajtuar marrëdhëniet me Shqipërinë si dhe dëshirën e saj për çuarjen përpara të zhvillimit të këtyre marrëdhënieve. Së dyti, kjo vizitë synon vënien e piketave për të ardhmen. Është një delegacion gjigand prej 50 vetash në cilin ka 5 Ministra dhe zëvëndës/ministra. Një rëndësi të veçantë kjo vizitë paraqet edhe për faktin se shpresohet që ti hapë rrugë mundësive të reja për bashkëpunime në projekte konkrete mes Shqipërisë dhe Kinës në kuadër të dy programeve mjaft të mëdha të iniciuara nga Kina siç janë nisma "Një brez, një rrugë" dhe mekanizimi i Bashkëpunimit 16+1. Kina me 16 vende të Europës lindore dhe juglindore dhe nisma "Një brez, Një rrugë" që është rigjallërimi i rrugës së dikurshme të mëndafshit, ku Shqipëria është pjesë e kësaj rruge. Pritet të përfitojë kryesisht në investimet në infrastrukturë", vlerëson ai.

Mrekulli
Lajmet Kryesore