Kina thekson vendosmërinë për të mbrojtur sovranitetin territorial

2017-04-13 10:15:51 CRI Komenti juaj Printoni

Vizita e 14-të e Dalai Lamës në një zonë kufitare midis Kinës dhe Indisë i ka rritur tensionet. Pavarësisht thirrjeve të Pekinit për të mos e lejuar vizitën, kjo e fundit është shoqëruar edhe me kritika për qeverinë kineze dhe debate për çështjen e Tibetit.

Gjatë vizitës së Dalai Lamës në rajonin kufitar (Tibetin e Jugut) për të cilin ka pretendime sovraniteti nga të dy vendet, një zyrtar indian bërë komente të pahijshme në lidhje me Kinën dhe mosmarrëveshjet kufitare. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lu Kang, tha se autoriteteve indiane u është paraqitur një notë proteste.

Ai deklaroi të mërkurën se Pekini do të marrë masa të mëtejshme për të mbrojtur sovranitetin territorial dhe sigurinë shtetërore.

Duke iu referuar vizitës dhe komenteve të bëra nga Dalai Lama, Lu theksoi se vizita e kaloi sferën e të ashtuquajturave "aktiviteteve fetare".

"Veprimet e palës indiane kanë shkelur angazhimin serioz për çështjen e Tibetit duke shkaktuar ndikime negative për zgjidhjen e përshtatshme të mosmarrëveshjeve territoriale nëpërmjet bisedimeve midis Kinës dhe Indisë," theksoi zëdhënësi.

"Mosmarrëveshjet kufitare dhe çështja e Tibetit lidhen me bazën politike të marrëdhënieve kino-indiane. Të dy vendet kanë rënë dakord prej kohësh për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kufitare nëpërmjet konsultimeve dhe bisedimeve. Pala indiane gjithashtu ka marrë disa angazhime mbi çështjen e Tibetit. Ne kërkojmë nga autoritetet indiane, duke u nisur nga interesat themelore të të dy vendeve dhe të të dy popujve, të mbrojnë bazën politike të zhvillimit të marrëdhënieve dhe të mos ndërmarrin veprime kërcënuese që dëmtojnë bisedimet mbi mosmarrëveshjet kufitare dhe marrëdhëniet midis dy vendeve. U bëjmë thirrje që të mbrojnë me veprime konkrete gjendjen e përgjithshme të marrëdhënieve kino-indiane." (Du/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore