Vizita e zv./kryeministrit të Kinës, ambasadorja Jiang: Ngjarje e madhe për marrëdhëniet kino-shqiptare

2017-04-11 16:18:24 CRI Komenti juaj Printoni

Zv./kryeministri i Kinës Zhang Gaoli do të vizitojë Shqipërinë më 16 dhe 17 prill. Ai do të takohet me presidentin e republikës, zotin Bujar Nishani si dhe me kryeministrin e vendit Edi Rama.

Zoti Zhang do të jetë në krye të delegacionit të nivelit më të lartë zyrtar kinez që ka e ka vizituar Shqipërinë në 51 vitet e fundit.

Për ambasadoren e Kinës në Shqipëri, Jiang Yu, kjo është një ngjarje e madhe për marrëdhëniet kino-shqiptare. Duke folur për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ambasadorja Jiang, theksoi se udhëheqësit e të dy vendeve do të shkëmbejnë mendime mbi nxitjen e mëtejshme të zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe në kuadër të nismës së bashkëpunimit "Brezi dhe Rruga."

"Vizita e zv./kryeministrit kinez Zhang Gaoli, pa diskutim do të ketë kuptim të rëndësishëm historik e realist mbi thellimin e miqësisë tradicionale kino-shqiptare dhe të besimit reciprok mes dy palëve. Vizita do të shërbejë gjithashtu për të nxitur të dy vendet të arrijnë konsensuse të rinj mbi bashkëpunimin konkret në fusha të ndryshme në kohën e re, gjë që do t'u sjellë gjallëri të dy vendeve," theksoi ambasadorja Jiang.

Vizita e zv./kryeministrit kinez Zhang Gaoli, njëherësh anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (KQPKK), bëhet me ftesën e qeverisë shqiptare. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore