Putini: Rusia dhe Irani do të forcojnë marrëdhëniet e partneritetit strategjik mes tyre

2017-03-29 10:48:43 CRI Komenti juaj Printoni

Presidenti rus Vladimir Putin u shpreh të martën se bashkëpunimi ruso-iranian ka qenë shumë i efektshëm dhe të dy vendet do të përpiqen t'i ngrenë në një nivel të ri marrëdhëniet e partneritetit strategjik mes tyre.

Putini i bëri këto komente në një konferencë shtypi pas takimit me presidentin iranian Hasan Ruhani, që ndodhet për një vizitë në Rusi. Shefi i Kremlinit tha se të dy vendet kanë rënë dakord për zhvillimin e dialogut lidhur me thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme dhe forcimin e marrëdhënieve me përfitime të ndërsjella, për ta ngritur partneritetin dypalësh në një nivel të ri.

Presidenti Putin theksoi gjithashtu se vitin e kaluar, vëllimi i tregtisë dypalëshe u rrit mbi 70 %. Sipas tij, të dy vendet duhet të intensifikojnë thellimin e bashkëpunimit tregtar dhe industrial, si edhe atë të luftës kundër terrorizmit.

Presidenti iranian Hasan Ruhani u shpreh nga ana e tij se diskutoi me homologun rus lidhur me çështjen e krijimit të Zonës së Tregtisë së Lirë ndërmjet Iranit dhe Bashkimit Ekonomik Euraziatik. Po ashtu, të dy udhëheqësit trajtuan edhe çështjet rajonale, si gjendja në Siri, Afganistan dhe Jemen. (Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore