Kinë, sfida serioze përballë drogave

2017-03-28 17:45:11 CRI Komenti juaj Printoni

Numri i përdoruesve të lëndëve narkotike në Kinë është rritur në vitin 2016 dhe 14 mijë vepra penale të lidhura me drogën janë zbuluar nga autoritetet e anti-drogës dhe policia, njoftohet në raportin e fundit për gjendjen e përgjithshme të lëndëve narkotike të vendit. Sipas këtij raporti, prirja e përhapjes së drogave është e kontrollueshme në Kinë, por ndodhet ende përpara sfidës shumë serioze dhe të ndërlikuar.

Në këtë raport të publikuar të hënën në Pekin vihet në dukje se gjatë vitit të kaluar, u ngadalësua prirja e rritjes së numrit të përdoruesve të drogave me opium (kryesisht heroinës), por pati një rritje të shpejtë numri i përdoruesve të drogave sintetike (kryesisht metamfetaminë) dhe u zbuluan gjithashtu përdorues të lëndëve të reja psikoaktive (psychoactive substance).

Shefi i Zyrës Kombëtare të Ndalimit të Drogave, Liu Yuejing, vuri në dukje se përdorimi bashkërisht i drogave tradicionale, sintetike dhe i lëndëve të reja psikoaktive tregon ndryshimin rrënjësor të strukturës së përdorimit të drogave në Kinë.

"Tani në mbarë Kinën ka 2 milionë e 505 mijë përdorues të drogave, shifër kjo që u shtua me 6.8% në krahasim me vitin 2015. Ndër ta, 1.5 milionë janë përdoruesit e drogave sintetike, duke zënë 60.5% kundrejt të gjithë përdoruesve të drogave. 38.1% janë përdoruesit e drogave të nxjerra nga opiumi, kurse 1.4% janë përdorues të hashashit ose kokainës."

Liu theksoi se numri i përdoruesve të drogave sintetike ka pasur një rritje të shpejtë, duke zënë 81% të totalit të përdoruesve, që u zbuluan gjatë vitit të kaluar.

Nga raporti i gjendjes së përgjithshme të lëndëve narkotike në Kinë del se gjatë vitit 2016, në numrin e përdoruesve të rinj të drogave u duk prirja e uljes. Vitin e kaluar, në mbarën vendin numri i përdoruesve të drogave nën 35 vjeç u ul 19%, ndërkohë, numri i atyre nën 35 vjeç që u zbuluan për përdorimin e drogave u ul 4.1% në krahasim me vitin 2015. Kjo tregon efikasitetin fillestar të edukimit të të rinjve për parandalimin e drogave.

"Trekëndëshi i artë" (zona kufitare midis Tajlandës, Mianmarit e Laosit) është ende burimi kryesor i heroinës e metamfetaminës në Kinë. Nga ana tjetër, janë bërë më serioze krimet e prodhimit të drogave sintetike brenda Kinës.

Në raport vihet gjithashtu në dukje se gjatë vitit të kaluar, veprimet e trafikut dhe të shitblerjes së drogave brenda Kinës janë bërë më të shumtë dhe karakterizohen nga organizimi, interneti, profesionalizmi dhe dhuna. Lidhur me këtë, autoritetet e ndalimit të drogave po forcojnë në veçanti goditjen ndaj prodhuesve e trafikuesve të narkotikëve nëpërmjet internetit.

"Vitin e kaluar, në mbarë vendin u arrestuan 18 mijë të dyshuar të lidhur me narkotikën nëpërmjet internetit, u sekeuestruan 6.7 tonë lëndë narkotike dhe u mbyllën 128 uebsajte përkatëse. Sivjet do të vazhdojmë me të gjitha forcat përpjekjet për prishjen e pikave të prodhimit të drogave, për goditjen e bandave të trafikut të narkotikëve dhe për kontrollin e përdoruesve të drogave, që të frenojmë me vendosmëri përhapjen e narkotikëve," tha shefi i Zyrës Kombëtare të Ndalimit të Drogave Liu Yuejin. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore