Kina, notë proteste Japonisë për vizitën e zv.ministrit në rajonin e Tajvanit

2017-03-28 09:07:10 CRI Komenti juaj Printoni

Ministria e Jashtme e Kinës tha të hënën se i ka dërguar një notë protestë Japonisë pas vizitës së zv.ministrit japonez të Punëve të Brendshme Jiro Akama në fundjavë në rajonin e Tajvanit. Kina paralajmëroi se kjo vizitë mund të prekë përmirësimin e marrëdhënieve mes Pekinit dhe Tokios.

Ministria e Punëve të Brendshme e Japonisë tha se vizita e zv.ministrit Jiro Akama në rajonin e Tajvanit ishte për të marrë pjesë në një veprimtari zyrtare për promovimin e turizimit, pas nisjes të premten nga Japonia dhe rikthimit të nesërmen.

Në Pekin, zëdhënësja e ministrisë së Jashtme Hua Chunying tha se kjo vizitë është në kundërshtim të qartë me zotimin e Japonisë për të zhvilluar vetëm shkëmbime joqeveritare dhe në nivel lokal me rajonin e Tajvanit.

"Kina e kundërshton me forcë këtë vizitë. Qysh prej fillimit të vitit, Japonia ka deklaruar se respekton premtimet e saj mbi çështjen e Tajvanit, por në fakt ka qenë provokative në veprime, gjë që ka shkaktuar shqetësim serioz në përmirësimin e marrëdhënieve kino-japoneze."

Zëdhënësja Hua ritheksoi gjithashtu se çështja e Tajvanit ka të bëjë me çështjet thelbësore të Kinës dhe nuk mund të kundërshtohet. Ajo i bëri thirrje Japonisë të kuptojë seriozitetin e kësaj çështjeje.

"Çështja e Tajvanit është një çështje e parimit që ka të bëjë me themelet politike të marrëdhënieve Kinë-Japoni. Qëndrimi i qeverisë kineze për këtë çështje ka qenë i qartë dhe i vendosur. Vizita e zv.ministrit japonez ka shkelur zotimin e Japonisë për t'u angazhuar vetëm në shkëmbime joqeveritare dhe rajonale me ishullin e Tajvanit si dhe sfidoi frymën e katër dokumenteve politike Kinë-Japoni. Kina e kundërshton me forcë këtë veprim dhe i ka dërguar Japonisë një notë proteste."

Hua shtoi se Japonia, nga njëra anë deklaron se do t'i përmbahet zotimit për çështjen e Tajvanit, por nga ana tjetër vepron ndryshe.

Ajo i bëri thirrje Japonisë të mos bëjë lojë të dyfishtë, pasi shkakton shqetësim serioz në përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Mediet japoneze thanë se Akama është zyrtari më i lartë qeveritar që ka vizituar zyrtarisht ishullin e Tajvanit qysh kur Japonia prishi marrëdhëniet diplomatike me Taipei në vitin 1972 dhe i themeloi ato me Pekinin. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore