I dërguari i Kinës përshëndet "vrullin" e bisedimeve të paqes për Sirinë

2017-03-23 09:31:55 CRI Komenti juaj Printoni

Në prag të nisjes së bisedimeve për krizën siriane, të ndërmjetësuara nga OKB-ja, i dërguari i Kinës për krizën siriane, Xie Xiaoyan tha se "vrulli i dialogut për paqe nuk do të ndalet".

Ai e bëri deklaratën për mediet një ditë para nisjes së raundit të pestë të bisedimeve të Gjenevës, midis përfaqësuesve të qeverisë siriane dhe atyre të opozitës.

I dërguari kinez Xie u bëri thirrje palëve të heqin dorë nga "iluzioni" se fitoret e betejave në terren mund të ndikojnë procesin politik.

"Shpreh shqetësimin tim dhe të palës kineze lidhur me luftimet sporadike brenda territorit sirian. Ne u kemi bërë thirrje të gjitha palëve të heqin dorë nga iluzioni se kush fiton betejën në terren do të ndikojë procesin politik. Ne jemi përpjekur me forcë të nxitim palët drejt paqes, dialogut, marrëveshjes politike, sepse zgjidhjet ushtarake nuk të çojnë asgjëkundi. Vetëm një zgjidhje politike do të jetë zgjidhja e duhur" tha i dërguari kinez.

Ai ndër të tjera shtoi se OKB-ja duhet të mbetet i vetmi ndërmjetësues dhe shprehu shqetësimin për rritjen e luftimeve kohët e fundit. Raundi i pestë i bisedimeve të paqes për krizën siriane do të fokusohet te qeverisja, zgjedhjet, kushtetuta e re dhe lufta kundër terrorizmit.(Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore