Kina, e gatshme për ngritjen e marrëdhënieve me ShBA-në në lartësi strategjike

2017-03-21 10:16:46 CRI Komenti juaj Printoni

Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi u shpreh të hënën në Pekin se, tani kur vendet e ndryshme janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, fuqitë e reja dhe fuqitë e mëdha ekzistuese kanë interesa të ndërthurura dhe nga konfliktet e mundshme midis tyre dëmtohen të dyja palët.

Shefi i diplomacisë kineze i bëri këto komente në takimin vjetor të Forumit të Nivelit të Lartë për Zhvillimin e Kinës. Ai tha se çështjet botërore janë shumë të ndërlikuara dhe një vend i vetëm nuk mund të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë ndërkombëtare, prandaj e vetmja zgjidhje e mundshme është bashkëpunimi ndërkombëtar. Pala kineze është e gatshme që të forcojë dialogun e bashkërendimin me palën amerikane, duke shmangur gabimet historike.

Wang Yi vuri në dukje gjithashtu se dy ditë më parë, sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson bëri vizitën e tij të parë në Kinë. Të dyja palët arritën konsensus të qartë lidhur me një pikënisje të re në marrëdhëniet kino-amerikane, në bazën e moskonfliktualitetit e të moskundërvënies, të respektit të ndërsjellë dhe të bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta. Kryediplomati amerikan tha se ShBA-ja e Kina duhet të projektojnë bashkërisht marrëdhëniet dypalëshe në 50 vjetët e ardhshëm dhe të planifikojnë bashkërisht fushat e bashkëpunimit. Z. Wang e quajti këtë qëndrim të palës amerikane pozitiv dhe inkurajues. "Kina i ka trajtuar gjithmonë marrëdhëniet me ShBA-në nga perspektiva afatgjatë dhe është e gatshme të nxitë ngritjen e këtyre marrëdhënieve në një lartësi strategjike," vuri në dukje ministri i Jashtëm kinez Wang Yi. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore