Kinë-Arabi Saudite, nënshkruhen 14 marrëveshje bashkëpunimi

2017-03-17 10:08:56 CRI Komenti juaj Printoni

14 marrëveshje të ndryshme me vlerë rreth 65 miliardë dollarë amerikanë janë nënshkruar pas një takimi ndërmjet presidentit kinez Xi Jinping dhe Mbretit të Arabisë Saudite Salman në Pekin.

Presidenti Xi dhe mbreti Salman kanë nënshkruar marrëveshje në fusha të tilla si energjetika, komunikacioni, aviacioni dhe financat.

Marrëveshjet me vlerë miliarda dollarë janë pika kulmore e një procesi të filluar vjet, kur Xi zhvilloi një vizitë në Arabinë Saudite.

"Jam i kënaqur që të gjitha pikat për të cilat është arritur konsensus janë zbatuar. Do të doja të punoja me Madhërinë tuaj për të ruajtur këtë moment të mirë të lidhjeve dypalëshe. Vizita juaj shënon një fillim i mirë për ngritjen e marrëdhënieve dypalëshe në një nivel të ri," tha presidenti Xi Jinping.

Kreu i shtetit kinez u shpreh gjithashtu se Kina do të mbetet një treg i besueshëm për naftën e Arabisë Saudite.

Duke folur për çështjen e Lindjes së Mesme, Xi Jinping tha se Kina respekton sovranitetin kombëtar dhe ndjek politikën e mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera.

Nga ana e tij, mbreti saudit Salman theksoi dëshirën për forcimin e marrëdhënieve kino-saudite në fushën e tregtisë, investimeve dhe energjisë.

Ai tha gjithashtu se e vlerëson qëndrimin e Kinës në trajtimin e çështjeve globale:

"Sot bota po përballet me shumë sfida që kërcënojnë sigurinë e komunitetit ndërkombëtar. Më e keqja prej tyre është terrorizmi. Përveç kësaj, ka veprime që janë ndërhyrje në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe që shkaktojnë konflikte rajonale. Për të përballuar këto sfida, komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkëpunojë. Unë e vlerësoj rolin e Kinës në ruajtjen e paqes e të sigurisë ndërkombëtare dhe shpresoj se Kina do të luajë një rol më të madh në çështjet e Lindjes së Mesme."

Mrekulli
Lajmet Kryesore