Parlamenti britanik miraton projektligjin e tërheqjes nga BE-ja

2017-03-14 10:16:16 CRI Komenti juaj Printoni

 

Të dy dhomat e parlamentit britanik votuan me radhë të hënën projektligjin e tërheqjes së vendit nga Bashkimi Europian. Kryeministrja Theresa May do të shpallë më vonë të martën nisjen e procedurës së tërheqjes. Në të njëjtën kohë, kryeministrja e Skocisë Nikola Sturgeon u shpreh se Skocia planifikon të zhvillojë referendumin e dytë të pavarësisë në vjeshtë të vitit 2018.

Ndërkohë ligjvënësit nuk mundën dot të miratonin ndryshimet e nevojshme ligjore për të mbrojtur të drejtat e shtetasve të BE-së në Britani si dhe t'i jepnin më shumë peshë vendimmarrëse parlamentit në çështjen e tërheqjes nga BE-ja. Shumica e anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve e refuzuan projektligjin e rishikuar të paraqitur nga Dhoma e Lartë. Më vonë, Dhoma e Lordëve hoqi dorë nga votimi i projektligjit të rishikuar, duke shënuar kështu miratimin përfundimtar të tërheqjes së Britanisë nga BE-ja.

Në një reagim pas votimit në parlament, kryeministrja e Skocisë Nikola Sturgeon u shpreh se do t'i kërkojë autorizimin ligjor qeverisë britanike për zhvillimin e referendumit të dytë të pavarësisë.

Kryeministrja britanike Theresa May u shpreh se në çastin kyç të tërheqjes së Britanisë nga BE-ja, referendumi i pavarësisë do ta futë Skocinë në mosmarrëveshje më të thellë të brendshme:

"Në gjendjen e tanishme, faktet tregojnë se shumica e skocezëve nuk shpresojnë te zhvillimi i një referendumi të dytë për pavarësinë. Prandaj i sugjeroj qeverisë skoceze të mos luajë me të ardhmen e shtetit tonë, qeveria duhet të punojë më mirë në shërbim të popullit skocez," tha May. (Fani/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore