Mbrëmje Gala "Gëzuar Vitin e Ri Kinez" në "vendin e shqiponjave"

2017-01-26 20:34:08 CRI Komenti juaj Printoni

Mbrëmjen e 24 janarit, Ambasada e Kinës në Shqipëri zhvilloi në Teatrin e Universitetit të Arteve në Tiranë, Mbrëmjen Gala "Gëzuar Vitin e Ri Kinez", me rastin e Festës së Pranverës 2017. Të pranishëm në mbrëmje ishin Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste Gramoz Ruçi, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, zvministri i jashtëm Selim Belortaja, zvministri i kulturës Zef Çuni, zvministri i Mbrojtjes Petro Koçi, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Brunilda Paskali, shefi i Zyrës presidenciale Olsi Lafe, këshilltari për marrëdhëniet me jashtë i kryetarit të Parlamentit Ralf Gjoni, kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë Spartak Nano, Kryetari i Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë Iljazi Spahiu, drejtori i degës së Vlorës së Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë Helidon Muka, përfaqësues të institucioneve të ndërmarrjeve kineze, emigrantë kinezë në Shqipëri si dhe qytetarë të Tiranës. Mbrëmjen Gala e ndoqi një publik prej mbi 800 vetësh.

Ambasadorja Jiang Yu në emër të ambasadës përshëndeti të ftuarit me urimin për Festivalin e Pranverës. Ajo shprehu falenderime të sinqerta për urimin e presidentit shqiptar Bujar Nishani drejtuar kryetarit të shtetit të Kinës Xi Jinping, popullit kinez dhe emigrantëve kinezë në Shqipëri, me rastin e festës. Ambasadorja Jiang Yu tha se viti i kaluar ishte viti i hapjes, i korrjes së fryteve të marrëdhënieve kino-shqiptare, pasi shkëmbimet e nivelit të lartë ishin shumë të ngrohta dhe bashkëpunimet reale në fusha të ndryshme ekonomiko-tregtare, kulturore dhe njerëzore etj patën ecuri të frytshme. Këtë vit pala kineze është e gatshme të bashkëpunojë në fusha të ndryshme, për nxitjen e marrëdhëniet dypalëshe të qëndrueshme dhe të gjithanshme, tha ambasadorja kineze.

Grupi Artistik Rinor i Provincës Sichuan, i përbërë nga mësues dhe nxënës të Kolegjit Profesional të Artit shfaqi për të pranishmit një koncert me valle, akrobaci, muzikë popullore, opera të provincës Sichuan, kaligrafi, duke sjellë atmosferën festive të vitit të ri kinez. Jo vetëm emigrantët kinezë në sallë por dhe publiku shqiptar shijoi kulturën e larmishme kineze. Vallja "Bukuroshja" dhe " Çelen lulet" si dhe pjesë të operas tradicionale kineze, por dhe kërcimi modern, shoqëruar me kostumet popullore plot larmi dhe hijeshi e lëvizjet e tyre përcollën në sallë gjallërinë e Festës së Pranverës.

Në repertorin e Mbrëmjes Gala kishte dhe pjesë klasike të operës së Sichuanit si"Ura Duanqiao" dhe "Zotëria nga Bashani", të cilat shfaqën para publikut shqiptar mrekullinë e artit folklorik vendor. Numrat e vështirë akrobatikë u përcollën me duartrokitje dhe ovacione nga publiku. Një atmosferë festive dhe të gëzuar sollën në skenë dhe pjesët "Jinyikuangwu", skenografia madhështore e "Dahushangshan" por dhe pjesë të tjera nga muzika popullore tradicionale.

Kjo është hera e pare që një veprimtari artistike me rastin e Vitit të Ri Kinez shfaqet në Shqipëri, e organizuar në kujdesin e Ministrisë së Kulturës së Kinës, Ambasadës së Kinës në Shqipëri, Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Bashkisë së Tiranës, Shoqatës Kulturore kino-shqiptare. Veprimtaria tërhoqi vëmendjen e medias shqiptare dhe u mirëprit nga publiku vendës. Për dy javë në sheshin qendror të Tiranës dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës u shfaqën video kushtuar Vitit të Ri Kinez, por dhe trashëgimisë natyrore dhe kulturore, traditave të Festës së Pranverës së Kinës, duke krijuar një atmosferë festive.

25 artistë të Grupit Artistik Rinor të provincës Sichuan u prezantuan në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Në sallën e këtij aeroporti në një ekran gjigant u shfaqën reklama për Vitin e Ri Kinez, me pjesë nga Opera e Sichuanit, numra akrobatikë, që u ndoqën si një surprizë e këndëshme nga udhëtarët, që frekuentojnë ambjentet e aeroportit.

Në prag të Festës së Pranverës, Ambasadorja Jiang Yu dhe Këshilltari Tregtar Lian Gang vizituan sipërmarrjen kineze në Tiranë si dhe uruan emigrantët kinezë për një vit të ri të mbarë për punën dhe familjet e tyre.

Mediat kryesore shqiptare si ABC News, Ora News, News 24,"Albanian Daily News", ATSH, "Shekulli" pasqyruan Mbrëmjen Gala me rastin e Vitit të Ri Kinez. Ndërkohë shfaqja e artistëve kinezë në Mbrëmjen Gala do të transmetohet së shpejti nga Radiotelevizioni Shqiptar.

Mrekulli
Lajmet Kryesore