Fjalimi i May-t paraqet planin e Brexit, por nuk shuan shqetësimet për të

2017-01-18 09:29:05 CRI Komenti juaj Printoni

Kryeministrja britanike Theresa May nëpërmjet një fjalimi paraqiti të martën qëndrimin e qeverisë së saj ndaj shkëputjes së vendit nga Bashkimi Europian, proces i njohur si Brexit.

Ajo e bëri të qartë se Britania e Madhe do të kryejë një shkëputje të pastër nga blloku tregtar, duke u larguar nga tregu i vetëm prej 500 milion vetësh. May theksoi se Britania duhet të rimarrë kontrollin e ligjeve dhe kufijve të saj.

Kryeministrja britanike May mbajti fjalimin e parë të rëndësishëm, ku parashtroi planin e shkëputjes nga BE-ja, pas fitores së referendumit të qershorit të vitit të kaluar. May theksoi se do të tentohet për një marrëveshje të guximshme dhe ambicioze me BE-në, duke shtuar se ajo do të mundësojë shkëmbime më të lira në mallra dhe shërbime midis Britanisë dhe vendeve anëtare të BE-së.

"Dua t' ju siguroj se kemi ndërmarë një vendim në të mirë të Britanisë. Nga ana tjetër vendimi është i drejtë dhe për Bashkimin Europian. Dëshiroj ta shoh këtë qasje në mënyrë pozitive dhe optimiste. Ekziston një dëshirë e mirë nga të dyja palët, ndaj ne mund të vendosim një partneritet në të ardhmen, nga i cili do të kenë përfitime të dyja palët", tha kryeministrja May.

Ndërkohë fqinjët e Britanisë janë ndjerë të lehtësuar, pas paraqitjes së planit për shkëputje të këtij vendi nga BE-ja. Në mediat sociale, presidenti i Këshillit të Europës Donald Tusk e cilësoi "realist" fjalimin e kryeministres britanike May, duke shtuar se 27 vendet e tjera anëtare të BE-së mbeten të bashkuara dhe të gatshme për te negociuar. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore