Kubanët i japin lamtumirën e fundit liderit të revolucionit Fidel Castro

2016-12-05 10:47:04 CRI Komenti juaj Printoni

Pasditen e 3 dhjetorit, dhjetëra mijëra kubanë nga qytete të ndryshme të vendit u mblodhën në Santiago për t'i dhënë lamtumirën e fundit liderit të revolucionit Fidel Castro. Në fjalimin e tij, kryetari i Këshillit të Shtetit Raúl Castro u zotua se do të nderojë parimet e socializmit dhe të revolucionit.

Nën tingujt e himnit kombëtar, dhjetra mijëra kubanë nga rajone të ndryshme të vendit thërritën emrin e Fidel Castros, në shenjë lamtumire ndaj heroit të revolucionit. Ata u mblodhën në sheshin e revolucionit Antonio Maceo të Santiagos, qytet i dytë kuban për nga madhësia.

Homazhet u zhvilluan në qytetin Santiago, ku në 2 janar të vitit 1959, Fidel Castro shpalli fitoren e revolucionit. Të pranishëm ishin presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro, ish-presidenti i Brazilit Luiz Inácio Lula da Silva dhe liderë të tjerë të Amerikës Latine. Raúl Castro tha në fjalimin e tij se shpirti i Fidel Castros është trashëguar te brezi i ri i Kubës:

"Pjesmarrja e të rinjve dhe fëmijëve të Kubës tregon trashëgiminë e shpirtit të Fidelit. Jemi krenarë dhe të gëzuar për këtë. Deri në momentin e fundit të jetës, lideri i revolucionit Fidel Castro refuzoi adhurimin personal. Ai nuk dëshironte që emri i tij tu vihej shesheve, parqeve apo objekteve të tjera publike. Për të respektuar vullnetin e Fidelit, do të paraqesim propozimet në mandatin e ardhshëm të Kongresit Popullor" tha Raul Castro.

Raul ritheksoi se Kuba do të vazhdojë mbrojtjen e pavarësisë së atdheut dhe rrugën socialiste.

Kortezhi me hirin e Fidel Castros u nis më 30 nëntor nga kryeqyteti i Kubës Havana duke përshkuar 800 km të territorit të vendit dhe mbërriti mesditën e 3 nëntorit në Santiago, ku në varrezën Santa Ifigenia do të prehet lideri kuban. (Xu Guang/ Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore