Itali: Renzi jep dorëheqjen

2016-12-05 10:15:18 CRI Komenti juaj Printoni

 

Sipas rezultatit fillestar të referendumit për rishikimin e kushtetutës së Italisë, numri i votave kundër kaloi atë të votave pro, gjë që shënon dështimin e referendumit. Kryeministri Matteo Renzi shpalli dorëheqjen.

Referendumi për rishikimin e kushtetutës, i paraqitur nga Renzi, përfshin kryesisht reformën e sistemit politik dhe në fokus të tij është pakësimi i senatorëve nga 315 në 100 si dhe kufizimi i të drejtave të tyre, me synim rritjen e efikasitetit të legjislacionit. Reforma synon gjithashtu ndarjen e të drejtave të qeverisë qendrore dhe të asaj lokale.

Rishikimi i kushtetutës u kundërshtua ashpër qysh nga paraqitja e propozimit. Deputeti Di Stefano nga partia "Lëvizja e 5 Yjeve" ((M5S) shprehu mendimin:

"E kundërshtoj me vendosmëri reformën e kushtetutës, sepse ajo do ta kthejë parlamentin në skllav, ndërsa kryeministri Renzi do të kontrollojë parlamentin. Partia Demokratike, e Renzit zë 60% të vendeve në dhomën e përfaqësuesve dhe pas reformës së senatit, senatorët do të zgjedhen nga rrethet, pjesa dërrmuese e të cilave kontrollohet gjithashtu nga Partia Demokratike."

Një pjesë e analistëve janë të mendimit se dështimi i referendumit do të rritë ndikimin e Partisë M5S, me ngjyrime populiste. Rezultati i referendumit ka ngjallur shqetësimin e komunitetit ndërkombëtar dhe të tregjeve financiare, madje disa e lidhin dështimin e tij me shkëputjen e Italisë nga BE-ja .

Studenti 25 vjeçar Lorenzo votoi kundër në referendum, por ai nuk mendon se dështimin e referendumit do ta çojë vendin në krizë politike dhe ekonomike.

"Votova kundër. Mendoj se ruajtja e kushtetutës së tanishme mund të sigurojë përfaqësinë e shtetasve dhe mund të përballojë prirjen e populizmit. Besoj se Italia do të mbetet në BE, nuk shikoj ndonjë rrezik në këtë drejtim." (Wang Lei/ Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore