2016-10-22 11:39:24 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Ambasadorja e Kinës në Shqipëri Jiang Yu vizitoi të premten me ftesë qytetin e Elbasanit, ku u takua me kryetarin e Bashkisë Qazim Sejdini, nënkryetarin Klevis Xhoxhi dhe deputeten e qarkut të Elbasanit Evis Kushi. Znj. Jiang Yu shoqërohej në këtë vizitë nga këshilltari tregtar i Ambasadës Lian Gang.
Ambasadorja Jiang bëri në takim një paraqitje të gjendjes së përgjithshme të zhvillimit të marrëdhënieve kino-shqiptare në vitet e fundit, duke u shprehur se marrëdhëniet e bashkëpunimit të gjithanshëm miqësor midis Kinës dhe Shqipërisë po rriten vazhdimisht. Edhe shkëmbimet mes pushteteve lokale të të dy vendeve po zhvillohen aktivisht, duke arritur rezultate të frytshme. Shtimi i këtyre shkëmbimeve ka ofruar platformë më të gjerë për marrëdhëniet dypalëshe, vuri në dukje përfaqësuesja e Kinës në Shqipërisë, duke theksuar se qyteti i Elbasanit ka një histori të vjetër bashkëpunimi me Kinën. Në vitet '70 të shekullit të kaluar, shumë specialistë kinezë erdhën në Elbasan për të marrë pjesë në ndërtimin e veprave të ndryshme, duke krijuar edhe miqësi të thellë me banorët vendorë. Me të mbërritur në Elbasan, e ndiem këtë atmosferë miqësore, u shpreh ambasadorja Jiang Yu. Ajo tha se Elbasani është një qytet tradicional industrial i Shqipërisë, që ka një bazë të mirë industriale dhe burime të pasura natyrore, si edhe një potencial të madh zhvillimi në fushat e industrisë, turizmit, bujqësisë etj. "Ne dëshirojmë të inkurajojmë më shumë kompani kineze të krijojnë lidhje me kompanitë lokale të Elbasanit, sidomos në fushën e kapaciteteve prodhuese, për të gjetur mundësi bashkëpunimi," tha znj. Jiang.
Kryebashkiaku i Elbasanit Qazim Sejdini u shpreh nga ana e tij se qytetarët elbasanas kanë ndjenja të thella ndaj popullit kinez. Kina ka dhënë një kontribut të madh për zhvillimin e ekonomisë dhe ndërtimin e qytetit të Elbasanit. Specialistët dhe teknikët punëtorë e miqësorë kinezë kanë lënë kujtime të bukura te qytetarët e brezit të vjetër të Elbasanit, vuri në dukje z. Sejdini, duke shtuar se kjo miqësi e thellë tradicionale ka hedhur baza të forta për shtimin e bashkëpunimit konkret të Elbasanit me palën kineze. Elbasani dëshiron të diskutojë për vendosjen e marrëdhënieve miqësore me qytetet kineze, si dhe mirëpret investimet kineze.
Pas vizitës, ambasadorja Jiang dhe kryebashkiaku Sejdini dhanë së bashku një intervistë për mediet, si edhe vizituan mjediset e ish-Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit, Muzeun Etnografik dhe kalanë e Elbasanit. (Vera)