Ambasadorja Jiang Yu viziton Fierin

2016-10-21 10:37:16 CRI Komenti juaj Printoni

Me ftesë të kryetarit të Bashkisë së Fierit Armando Subashi, të enjten ambansadorja e Kinës në Shqipëri Jiang Yu vizitoi qytetin e Fierit ku u takua me kryebashkiakun Subashi dhe vizitoi Kompaninë e naftës Bankers Petroleum, e sapoblerë nga Kompania kineze e naftës dhe gazit Geo-Jade. Në këtë vizitë ambasadorja Jiang Yu shoqërohej nga këshilltari për tregtinë i Ambasadës Lian Gang, si dhe përfaqësues të kompanisë Geo Jade.

Ambasadorja Jiang Yu vlerësoi se marrëdhëniet kino-shqiptare kanë arritur rezultate të dukshme në bashkëpunimin në fushën e energjetikës si dhe të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar. Aktualisht Kina është një nga investitorët më të rëndësishëm në Shqipëri, tha ambasadorja duke shtuar se bashkëpunimi i suksesshëm dypalësh do të nxitë më shumë ndërmarrje kineze të investojnë në Shqipëri.

Duke e cilësuar Fierin si një nga qytetet më të rëndësishme të industrisë së naftës në Shqipëri, zonja Jiang Yu shprehu dëshirën që Bashkia dhe dikasteret përkatëse të palës shqiptare të përkrahin kompaninë kineze, duke i dhënë garanci konkrete dhe duke i krijuar një mjedis të mirë veprimtarisë së saj. Jiang Yu tha se kompania kineze Geo Jade do të ushtrojë veprimtarinë e saj sipas ligjeve, duke bashkëpunuar me palët e ndryshme, do të ngrejë pandërprerë efektivitetin e prodhimit, duke paraqitur një imazh të mirë të sipërmarrjes kineze.

Nga ana e tij kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi garantoi ambasadoren dhe në veçanti përfaqësuesit e kompanisë Geo-Jade, se do të jenë të mirëpritur në bashki për çdo problem dhe bashkëpunim të mundshëm, duke siguruar për një klimë miqësore që do të ndikojë pozitivisht në shtrirjen dhe fuqizimin e investimit të tyre në rajonin e Fierit. Përvec këtij investimi ai tha se do të shtohen shkëmbimet në fusha të ndryshme me qytetin kinez Lanzhou, i binjakëzuar me Fierin.

Ambasadorja Jiang Yu dhe delegacioni që e shoqëronte vizituan vendburimet e naftës dhe u njohën me prodhimin dhe kushtet e punëtorëve. (Du/Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore