Shqipëria kërkon larmi në shkëmbimet tregtare me Kinën

2016-08-24 21:04:26 CRI Komenti juaj Printoni

Shqipëria duhet t'i kushtojë rëndësi të veçantë larmisë së shkëmbimeve tregtare me Kinën, duke zbatuar masa lehtësuese që do të mundësojnë rritjen e eksporteve të produkteve cilësore shqiptare, tha të mërkurën ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

Ai iu drejtuam me një fjalim Forumit të Biznesit Kinez që u mbajt në Ambasadën e Shqipërisë në Pekin. Zoti Bushati ndodhet në Kinë për një vizitë zyrtare i ftuar nga homologu kinez Wang Yi.

Bushati tha se Shqipëria po përjeton një transformim të rëndësishëm ekonomik, por theksoi se burimet tradicionale të rritjes ekonomike, nuk po gjenerojnë më zhvillim.

"Por, pavarësisht këtyre zhvillimeve pozitive, jemi të vetëdijshëm se ekonomitë e vendeve si Shqipëria janë ekonomi me tregje të vogla dhe si të tilla e kanë të vështirë të konkurrojnë të vetme në tregjet rajonale e ato globale. Për këtë arsye Qeveria shqiptare në bashkëpunim të ngushtë me qeveritë e vendeve të tjera të Europës Jug-Lindore, po i kushton gjithnjë e më shumë rëndësi thellimit të bashkëpunimit rajonal. Përfshirja e vendeve të rajonit tonë në nisma dhe procese të rëndësishme si Nisma 16+1 që mbledh Kinën dhe vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, përbëjnë mundësi të mira jo vetëm për të intensifikuar dhe forcuar marrëdhëniet rajonale, por edhe për të përshpejtuar proceset integruese," tha Bushati.

Ministri përmendi mbështetjen e Bashkimit Europian dhe sidomos Gjermanisë dhe Francës për realizimin e projekteve të mëdha të infrastrukturës, për të cilat janë të interesuar edhe kompanitë kineze. Zoti Bushati iu referua ndërtimit të autostradës Adriatiko-Joniane, e njohur ndryshe si "Korridori i Kaltër", ndërtimin e rrugës Tiranë – Shkup, rinovimin dhe lidhjen hekurudhore të Shqipërisë dhe të rajonit dhe ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Elbasan – Manastir.

"Në tre vitet e fundit, qindra delegacione dhe mijëra biznesmenë kinezë kanë vizituar Shqipërinë për të parë mundësitë konkrete për investime, tregti, projekte dhe bashkëpunim me Shqipërinë. Në fokus të tyre janë projektet në fushën e energjetikës, infrastrukturës (në veçanti asaj hekurudhore), zonat industriale, portet, minierat, prodhimi dhe përpunimi i produkteve. Konstatoj me kënaqësi që marrëdhëniet tregtare me Kinën vitet e fundit kanë njohur një rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme. Por, pavarësisht kësaj rritjeje, me bindje mund të them se niveli aktual i bashkëpunimit ekonomik është larg potencialeve të të dy vendeve dhe nuk i përgjigjet nivelit të miqësisë ndërmjet nesh," theksoi ministri.

Qeveria shqiptare ka zbatuar një axhendë ambicioze ekonomike dhe strukturore të reformave, me të cilat synon të kontribuojnë për realizmin një mjedisi më tërheqës investimesh.

Bushati nënvizoi se Ambasada e Shqipërisë në Kinë, është maksimalisht e angazhuar dhe autoritetet do të bëjmë më të mirën për të ndihmuar kompanitë kineze të kapërcejnë çdo divergjencë që ato mund të hasin gjatë përpjekjeve të tyre për të investuar në Shqipëri. (Leftioni Peristere)

Mrekulli
Lajmet Kryesore