Kina kërkon rinisjen sa më shpejt të bisedimeve 6-palëshe për Gadishullin Korean

2016-06-24 10:25:34 CRI Komenti juaj Printoni

Dialogu i Bashkëpunimit të Azisë Verilindore është mbyllur të enjten në Pekin.

Temat e diskutuara në këtë forum dyditor prekin çarmatimin bërthamor dhe sigurinë rajonale.

Pjesëmarrësit në këtë takim ishin zyrtarë dhe ekspertë nga Kina, Japonia, dy Koretë, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, që të gjitha vende të përfshira në bisedimet gjashtëpalëshe për Gadishullin Korean.

Susan Shirk e Institutit për Konfliktet Globale dhe Bashkëpunimin të Universitetit të Kalifornisë, që është organizatori i kësaj veprimtarie, shpjegon rëndësinë e takimit:

"Ne besojmë se të gjashtë vendet janë ato që na bëjnë të plotë. Mungesa e Koresë së Veriut gjatë dy vjetëve të fundit në këtë takim ishte një mangësi e madhe. Koreja e Veriut ishte një anëtare themeluese. Ne mendojmë se është shumë e rëndësishme të mbajmë këto linja komunikimi, sidomos gjatë periudhës kur bisedimet zyrtare janë ndërprerë," ka theksuar Shirk.

Dialogu i Bashkëpunimit të Azisë Verilindore u krijua në vitin 1993 për të ulur tensionet dhe për të vendosur bashkëpunimin në rajon.

Përfaqësuesit e Koresë së Veriut kanë munguar në këtë takim që kur ky vend kreu provën e vet të tretë bërthamore në vitin 2013.

Gjatë takimeve të kësaj jave, përfaqësuesi i posaçëm i Kinës për çështjet e Gadishullit Korean Wu Dawei bëri thirrje për të rifilluar sa më shpejt bisedimet gjashtëpalëshe, që synojnë zgjidhjen e çështjes bërthamore të Gadishullit Korean. Këto bisedime nisën në vitin 2003 dhe u ndërprenë në vitin 2008. (Raela)

Mrekulli
Lajmet Kryesore