Kina: Palët të punojnë për një Gadishull Korean pa armë bërthamore

2016-06-24 10:01:13 CRI Komenti juaj Printoni

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit ka nene të qarta lidhur me problemin e raketave balistike të Koresë së Veriut, u shpreh të enjten në një konferencë shtypi në Pekin zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Hua Chunying. Ajo i bëri këto komente pas lëshimit të mërkurën të dy raketave balistike nga Koreja e Veriut.

"Tani gjendja në Gadishullin Korean është sensitive dhe e ndërlikuar. Palët përkatëse duhet të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë përshkallëzimin e situatës dhe të ruajnë paqen e stabilitetin e këtij rajoni," vuri në dukje zëdhënësja e diplomacisë kineze.

Zyrtarët verikoreanë që morën pjesë në Dialogun e Bashkëpunimit të Azisë Verilindore, u shprehën të enjten se vendi i tyre nuk ka interes për rifillimin e bisedimeve 6-palëshe. Ata thanë se, për sa kohë që ShBA-ja të përbëjë një kërcënim ndaj sigurisë së Koresë së Veriut, kjo e fundit do të vazhdojë të forcojë kapacitetet e veta bërthamore. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me këto deklarata, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Hua Chunying:

"Qëndrimi ynë mbi problemin bërthamor të Koresë së Veriut dhe problemin e bisedimeve 6-palëshe është i qartë dhe i vendosur. Mendojmë se palët e ndryshme duhet të heqin dorë nga ideja e Luftës së Ftohtë dhe të punojnë për një Gadishull Korean pa armë bërthamore dhe për të ruajtuar paqen e stabilitetin, duke i zgjidhur problemet nëpërmjet bisedimeve. Lidhur me bisedimet 6-palëshe, e kemi theksuar gjithmonë se palët duhet të kërkojnë mënyrat për t'i zgjidhur problemet në kornizën e dialogut dhe për të arritur paqen afatgjatë në gadishull. Shpresojmë se palët do të bëjnë përpjekje, do të mbajnë qëndrime konstruktive dhe do të marrin masa konkrete, duke krijuar kushtet e favorshme për rifillimin e bisedimeve 6-palëshe." (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore