Presidenti Xi, takime dypalëshe para Samitit të OBSH-së

2016-06-24 09:30:43 CRI Komenti juaj Printoni

Në prag të Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSH), presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe në kryeqytetin uzbek, Tashkent. Gjatë takimit me presidentin rus Vladimir Putin u diskutua për rrugët e mëtejshme të integrimit të strategjisë së zhvillimit dhe shkëmbimet në kornizën e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, si dhe për vizitën e presidentit Putin këtë fundjavë në Kinë. Kreu i shtetit rus, Putin i shprehu homologut kinez Xi ngushëllime për fatkeqësinë natyrore në provincën Jiangsu.

Ndërsa gjatë takimit me kryeministrin indian Narendra Modi, presidenti Xi bëri thirrje për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh si dhe u diskutua për bashkëpunimin në kornizën e OBSH-së, G20-s dhe BRICS-sit. Presidenti Xi u takua dhe me kreun e shtetit pakistanez, Mamoon Hussain me të cilin u ndal në partneritetin strategjik, dëshirën për ndërtimin e Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan dhe zbatimin e shpejtë të projekteve në fushën e transportit, infrastrukturës dhe energjetikës. Hussain shprehu mbështetjen e plotë të vendit të tij për qëndrimin e Kinës ndaj çeshtjes së Detit të Kinës Jugore, Tajvanit dhe Tibetit.

E themeluar në vitin 2001, Organizata e Bashkëpunimit e Shangait (OBSH) aktualisht ka si anëtarë me të drejta të plota Kinën, Kazakistanin, Kirgistanin, Rusinë, Taxhilistanin dhe Uzbekistanin dhe si vende vëzhguese Afganistanin, Bjellorusinë, Indinë, Iranin, Mongolinë dhe Pakistanin. Samiti pritet të fokusohet në sigurinë rajonale, luftën kundër terrorizmit dhe bashkëpunimin ekonomik.

(Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore