Turneu i Xi-së në tre vende, nxitje nismës "Një Brez dhe Një Rrugë"

2016-06-15 19:15:32 CRI Komenti juaj Printoni

Diplomatë të lartë kinezë janë të mendimit se turneu i presidentit Xi Jinping në Evropën Qendrore e Lindore dhe Azinë Qendrore do t'i japë një nxitje të madhe nismës "Një Brez dhe Një Rrugë".

Xi Jinping-u do të niset nga Pekini të premten për vizita shtetërore në Serbi, Poloni dhe Uzbekistan. Ai do të marrë pjesë edhe në Samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në kryeqytetin uzbek Tashkent.

Ky është udhëtimi i dytë i kreut të shtetit kinez në Europën Qendrore e Lindore këtë vit, pas vizitës së tij shtetërore në Republikën Çeke në mars.

Ndihmësministri i Jashtëm i Kinës Liu Haixing shprehet se "Një Brez dhe Një Rrugë" do të jetë në krye të agjendës gjatë vizitave të presidentit Xi Jinping në Serbi e Poloni:

"Vitin e kaluar Kina nënshkroi memorandume mirëkuptimi me Serbinë, Poloninë e Republikën Çeke në lidhje me nismën 'Një Brez dhe Një Rrugë'. Këtë herë ne shpresojmë se do të ketë masa më konkrete për të çuar përpara këtë nismë. Ne presim që këto masa të përfshihen në marrëveshjet përkatëse qeveritare dhe kontratat e biznesit që do të nënshkruhen gjatë vizitave."

Uzbekistani është ndër vendet e para të përfshira në nismën "Një Brez dhe Një Rrugë". Gjatë vizitës në këtë vend, Xi Jinping-u do të takohet me liderët uzbekë dhe do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit në fusha të tilla si energjetika, financat, ndërtimi infrastrukturor, teknologjia dhe turizmi.

Ky vit shënon edhe 15-vjetorin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh).

Ndihmësministri i Jashtëm i Kinës Li Huilai thotë se Samiti i Tashkentit do të diskutojë dy çështje kryesore:

"Udhëheqësit do të shkëmbejnë së pari mendime mbi çështje të rëndësishme ndërkombëtare dhe rajonale. Ata do të diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit me dobi të ndërsjellë midis shteteve anëtare në fusha të ndryshme. OBSh-ja përballet si me sfida, ashte edhe me mundësi në situatën e re dhe liderët duhet të punojnë së bashku për një përgjigje të duhur të përbashkët. "

Li Huilai vë në dukje gjithashtu se Kina pret që Samiti i Tashkentit të sjellë përparime të rëndësishme mbi zgjerimin e OBSh-së, duke shtuar se përfshirja e anëtarëve të rinj do të shënojë një epokë të re për këtë organizatë.

Në samitin e vjetshëm India dhe Pakistani siguruan miratimin fillestar për t'iu bashkuar OBSh-së. Shtetet anëtare pritet të miratojnë sivjet një memorandum për anëtarësimin e të dy vendeve. (Artan Goga)

Mrekulli