Ambasadorja kineze në Shqipëri takon delegacionin e bujqësisë të Hebei-t

2016-05-26 16:28:38 CRI Komenti juaj Printoni

Ambasadorja e Kinës në Shqipëri Jiang Yu u takua të mërkurën në Tiranë me delegacionin e bujqësisë të provicës Hebei, të kryesuar nga zv.Drejtorja e Drejtorisë së Bujqësisë të kësaj province Duan Lingling.

Ambasadorja Jiang Yu u shpreh në këtë takim se Shqipëria është një vend me kushte të mira gjeografike e klimatike, dhe nga ana tjetër ka një nevojë të madhe për zhvillimin bujqësor. Ajo tha se bujqësia është një sektor i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare, ndërsa provinca Hebei ka përvojë në prodhimin bujqësor dhe është një treg i madh për mallrat bujqësore, prandaj të dyja palët kanë një hapësirë të madhe bashkëpunimi në fushën e bujqësisë. Delegacioni i provincës Hebei është delegacioni i parë që viziton Shqipërinë pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit në fushën e bujqësisë midis Kinës dhe Shqipërisë. Ambasadorja kineze Jiang Yu shprehu shpresën se vizita e këtij delegacioni do të nxitë bashkëpunimin konkret me palën shqiptare dhe do të shtojë investimet e tregtinë reciproke në fushën e bujqësisë.

Zv.drejtorja Duan Lingling tha se provinca Hebei u kushton rëndësi shkëmbimeve e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në këtë delegacion përfshihen specialistë të bujqësisë nga administratat e niveleve të ndryshme të kësaj province, si dhe përfaqësues nga firma të njohura bujqësore.

Programi i vizitave të delegacionit përfshin Ministrinë e Bujqësisë të Shqipërisë, bashkinë e qytetit të Vlorës, si edhe Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve. Pala kineze do ta ftojë zyrtarisht palën shqiptare të marrë pjesë në Takimin e 3-të të Drejtuesve të Pushtetit Vendor Kinë-Evropë Qendrore e Lindore, si edhe Panairin Ndërkombëtar të Ekonomisë dhe të Tregtisë të Hebei-t 2016, ku të dyja palët pritet të diskutojnë për bashkëpunimin në fushën e bujqësisë e të blegtorisë, nëpërmjet dialogut qeveritar dhe bisedimeve midis kompanive.

Të mërkurën paradite delegacioni bëri një vizitë në Ministrinë e Bujqësisë të Shqipërisë, ku u takua me ministrin Edmond Panariti. Z. Panariti shprehu dëshirën që Shqipëria dhe Kina të zhvillojnë bashkëpunim konkret në fushën e bujqësisë. Të dyja palët bënë një paraqitje të gjendjes së tanishme të zhvillimit të bujqësisë në të dy vendet, duke diskutuar edhe për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella. Ato nënshkruan gjithashtu "Memorandumin e mirëkuptimit për bashkëpunimin midis Drejtorisë së Bujqësisë të provincës Hebei dhe Ministrisë së Bujqësisë të Shqipërisë", duke arritur marrëveshje për prodhimin e perimeve organike, bashkëpunimin në fushën e tregtimit dhe të eksportimit të produkteve bujqësore etj.

Mrekulli
Lajmet Kryesore