Grupi 'China Everbright' synon ta shndërrojë Shqipërinë në nyjë logjistike

2016-05-04 16:46:23 CRI Komenti juaj Printoni
Grupi Everbright i cili bleu të drejtën e menaxhimit të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës synon ta kthejë Shqipërinë në një qendër logjistike për të transportuar mallrat kineze.

Chen Shuang, drejtor ekzekutiv (CEO) i Grupit Everbright, foli për herë të parë për CRI Shqip pas blerjes së aeroportit të vetëm të Shqipërisë.

"Karakteristikë e theksuar e Shqipërisë është eksportimi i krahut të punës dhe mendoj se punësimi brenda vendit është ende një problem i madh. Nëse do të mund të përfundojmë sipas planit krijimin e qendrës logjistike, kjo gjë do të jetë në favorin e rritjes së punësimit në Shqipëri," thotë Chen.

Grupi kinez do të vazhdojë t'i qëndrojë besnik menaxherëve ekzistues për të vazhduar punën e administrimit të kompanisë së re. Ndërkohë që blerja e Everbright-it pret miratimin e qeverisë shqiptare, drejtori ekzekutiv Chen Shuang shpreson që pas realizimit të projekteve të parashikuar, Kina mund të bëhet vendi më i madh investues në Shqipëri.


Chen Shuang

China Everbright ka themeluar katër fonde për bashkimin dhe blerjen e kompanive të tjera. Bashkimi dhe blerja e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës u realizua nëpërmjet të katërtit që është Fondi i Infrastrukturës dhe nëse blerja rezulton e suksesshme Everbright synon që në të ardhmen të formojë "Grupin e Aeroporteve" për Europën Qendrore e Lindore.

"Ky është projekti i parë. Prandaj realizimi i tij me sukses ka rëndësi të madhe për zhvillimin e ardhshëm të biznesit tonë jashtë vendit," i tha Chen CRI Shqip.

"Kjo është jo vetëm në favor të ndërtimit të infrastrukturës, por edhe për eksportimin e aeroplanëve të prodhuar nga Kina. Ashtu si Kina po eksporton tani në vendet e tjera trenin e saj (dhe hekurudhën) e shpejtësisë së lartë, në të ardhmen ne mund të eksportojmë edhe aeroplanët," thekson Chen.

I pyetur nga CRI Shqip për vendosjen lidhjes së transportit ajror midis Kinës dhe Shqipërisë, Chen thotë se: "Vendosja e një linje të drejtpërdrejtë fluturimi nga Pekini në Tiranë kalon nëpërmes një procesi të ndërlikuar miratimesh, prandaj si fillim mund të përdoren aeroplanë 'charter' (për turistët)."

Sipas Chen, kjo bëhet për të përmbushur kërkesat e turistëve kinezë që shkojnë jashtë vendit si dhe duke pasur parasysh që Shqipëria dhe vendet rreth saj kanë burime të pasur turistike. (Zhang Zhuo/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore