Mjeku i spitalit "Zhongnan" i shëruar nga koronavirusi kthehet në punë

2020-02-14 11:37:20 CRI Komenti juaj Printoni

Një mjek në Wuhan që u shërua nga koronavirusi, është kthyer në punë në spitalin "Zhongnan" të Universitetit të Wuhan-it.

Gjatë trajtimit të tij, pasi ethet i ranë, mjeku u shërbeu edhe pacientëve nëpërmjet internetit.

40-vjeçari Zhao Zhigang është mjek në Qendrën e Urgjencës të spitalit "Zhongnan" të Universitetit të Wuhan-it.

Kur muajin e kaluar ai mori një telefonatë për të trajtuar një pacient, i biri 3-vjeçar reagoi në mënyrë të çuditshme.

Zhao tregon: "Djali im i madh më përcolli deri te dera kokulur, pa thënë asnjë fjalë. Nuk e kishte bërë një gjë të tillë kurrë më parë. Nuk e di pse. Madje i bëra edhe një fotografi dhe e postova në llogarinë time në median shoqërore, duke shkruar: 'Nuk e kam idenë përse im bir po vepron kështu sot.' "

I sëmuri që mjekoi Zhao atë ditë, më vonë u konfirmua si ishte infektuar me koronavirusin e ri dhe mund të jetë edhe shkaku që Zhao u prek nga sëmundja ngjitëse.

Më 22 janar, ky mjek u diagnostikua si i prekur nga pneumonia e koronavirusit të ri. Për fat të mirë, ai nuk kishte simptoma të rënda. Në atë kohë, nuk kishte shtretër të mjaftueshëm në spitalin e tij, prandaj Zhao shkroi për veten një recetë dhe u fut në vetëkarantinë në dhomën e vet të gjumit.

Tre ditët e para ishin më të vështirat. Ethet, të ftohtit dhe dhimbjet në gjithë trupin e torturonin. Në ditën e 4-t ai filloi që të ndihet më mirë. Temperatura i ra.

Ai ishte në ankth gjatë kohës së qëndrimit në dhomë, duke ditur se kolegët e tij ishin të angazhuar në punën e ashpër për të mposhtur virusin. Prandaj, ai vendosi që t'i ndihmonte pacientët nëpërmjet internetit. Zhao shprehet:

"Pas bllokimit të qytetit, shumë pacientë u vetëmbyllën në shtëpi. Po të mos kishte doktorë në internet që t'u ofronin atyre ndihmë, ata do të ishin shumë të rrezikuar."

Në ditën e parë, Zhao fjeti vetëm 5 orë dhe ofroi ndihmë mjekësore ndaj 400 pacientëve në përgjithësi. Më vonë ai zbuloi se kishte edhe fëmijë të prekur nga virusi.

"Në atë kohë, nuk ishte e qartë nëse fëmijët dhe gratë shtatzëna prekeshin nga virusi, por unë i ndesha ata në internet dhe ata zinin një përqindje të madhe. Përveç kësaj, disa ekspertë mendonin se nuk kishte shumë të sëmurë jashtë Wuhan-it, por unë hasa disa edhe jashtë Wuhan-it, madje edhe nga jashtë Kinës kontinentale."

Doktori më vonë paraqiti një raport në bazë të pacientëve që u kishte shërbyer në internet tek grupi i ekspertëve, për t'i ndihmuar ata në vlerësimin e situatës.

Tani Zhao është shëruar dhe është kthyer në vendin e punës të tij.

Si shef pavijoni, ai dëshiron që të lehtësojë angazhimin dhe presionin e ekipit të tij. (Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore