Yiwu nuk pëson ndikime të mëdha nga lufta tregtare

2019-12-02 16:04:26 CRI Komenti juaj Printoni

Yiwu është baza më e madhe në botë për shitjen e produkteve të përdorimit të përditshëm. Sipas njoftimeve mediatike, gati 60 % e mallrave të Krishtlindjeve në botë prodhohen këtu. Në Yiwu, atmosfera e festës nuk fillon në dhjetor, por në mars dhe përfundon në shtator, sepse deri në fund të shtatorit, tregtarët e huaj mbarojnë blerjet dhe dyqanet vendore nisin të merren me tregun e brendshëm, që zë një kuotë të vogël në fitimet e tyre mbarëvjetore. Por shumë nga produktet që shiten këtu janë përfshirë në listën e shtimit të tarifave nga pala amerikane. Sipas një sondazhi të publikuar në shtator nga instituti amerikan i studimit të tregut "Koresight Research", gati 60 % e konsumatorëve amerikanë shqetësohen për ngritjen e çmimeve të dhuratave të Krishtlindjeve për shkak të shtimit të tarifave, 25.5 % e të pyeturve u shprehën se do të blenin më pak, dhe 22% se do të zgjidhnin produkte më të lira. Megjithatë, para ndryshimeve në treg, biznesmenët në Yiwu kanë gjetur rrugëdaljet e veta.

Tregu i produkteve të Krishtlindjeve në rrugën "Futian" është tregu më i madh në Yiwu që merret posaçërisht me kremtimin e kësaj feste të rëndësishme në Perëndim. Sipas kryemenaxherit të kompanisë së pajisjeve elektronike "Yinhe" Qu Xiaoping, tani mbi 90 % e llambave zbukuruese janë zëvendësuar me ato të teknologjisë LED, të cilat mbrojnë mjedisin dhe mund të jenë shumë të vogla, duke ofruar më shumë hapësira për dizenjuesit. Mirëpo, llambat zbukuruese me teknologjinë LED janë listuar në kontingjentin e parë të ngritjes së tarifave ndaj importeve kineze nga ShBA-ja. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve të agjencisë së lajmeve "Xinhua" për ndikimet e masave amerikane, z. Qu pohoi se ka pasur ndikime, por janë gjetur edhe zgjidhje. "Pjesa kryesore e kostos së rritur përballohet nga blerësit amerikanë. Ndërsa ne ngremë edhe aftësinë konkurruese me anën e përditësimit të produkteve. Porositë tona drejt tregut amerikan janë rritur 20 %, ndër të cilat produktet e reja zënë gati 50 %", shtoi Qu.

Sipas z. Cai Qinliang, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Produkteve të Krishtlindjeve të Yiwu-së, 80 % e produkteve të Krishtlindjeve prodhohen në Kinë, 80 % prej të cilave në Yiwu. "Si baza më e madhe botërore e prodhimit dhe e tregtimit, kemi të drejtat e caktimit të standardeve dhe të çmimeve. Sivjet, konsumatorët amerikanë do të paguajnë më shumë për festën për shkak të ngritjes së tarifave", shtoi z. Cai.

Ai thotë të vërtetën. Tani në Yiwu banojnë mbi 13 mijë blerës të huaj nga më shumë se 100 vende e rajone të botës, ndërsa mbi 500 mijë biznesmenë vijnë nga vendet e tjera për të eksploruar tregjet specifike vendore të shitjes me shumicë.

"Përveç Yiwu-së, nuk mund të gjej vend tjetër që të ofrojë produkte aq të larmishme", thotë Feris nga Kanadaja, që ka klientët kryesorë në Europë dhe Amerikën Veriore. Sipas tij, produktet në Yiwu shiten me çmime mjaft të arsyeshme dhe tarifat e shtuara duhet të përballohen kryesisht nga importuesit dhe konsumatorët.

Por, në fakt, qetësia dhe besimi i prodhuesve në Yiwu nuk janë formuar gjatë luftës tregtare që zgjat prej më shumë se një viti, por që dhjetë vjet më parë.

"Kriza financiare e vitit 2008 i preku rëndë firmat e Yiwu-së. Ne kuptuam se nuk mund të mbështetemi vetëm te një treg ose një klient gjigant", tha z. Cai.

Kompania "Engjëlli i vogël" nga provinca Guangdong, tani me seli në Yiwu, është një përfaqësuese e këtyre firmave. Përgjegjësi për shitjet Long Xijin tha se, me pakësimin e porosive nga Europa dhe ShBA-ja, kompania e zhvendosi fokusin në Amerikën Jugore dhe Azinë Juglindore, duke siguruar fitime të konsiderueshme.

Për këtë dukuri, z. Cai vuri në dukje: "Tani të gjitha vendet e rajonet që kremtojnë Krishtlindjet janë klientet tona. Kemi kategori të ndryshme produktesh, çmimet e të cilave shkojnë nga qindra dollarë amerikanë në disa centë. Prandaj, jemi në gjendje të plotësojmë kërkesat e shumëllojshme", shtoi ai.

Sipas të dhënave statistikore të shoqatës së tij, vitet e fundit, produktet e Krishtlindjeve të prodhuara në Yiwu po shiten në gjithnjë e më shumë tregje të reja në Amerikën Latine, Afrikë dhe Azinë Juglindore. Ndërkohë, përqindja e eksportit drejt ShBA-së ka rënë, duke zënë më pak se 1/10 e vëllimit të përgjithshëm. Kjo është edhe një ndër arsyet që tarifat amerikane nuk kanë ndikim të madh mbi kompanitë vendore.

Megjithatë, sipërmarrësit po shpejtojnë ritmet e inovacionit. Jin Zhixun, kryemenaxheri i firmës së lodrave "Fu Ye", u tregoi gazetarëve një babagjysh lodër që mund të lëvizë kokën dhe të interpretojë dhjetëra melodi me saksofon.

"Risia është aftësia jonë më e rëndësishme konkurruese. Duhet të përdorim teknologji të re e të studiojmë mënyrën për të përcaktuar veshjet dhe stolitë e lodrave. Kemi zbatuar edhe të drejtën e autorit për një dizajn me figura katrore të xhaketës së babagjyshit lodër", shtoi ai. Falë risive të pandërprera, çdo vit produktet e kompanisë së tij paraqiten në ekspozitën e dhuratave në Frankurt, duke u mirëpritur gjerësisht.

Mallrat e Krishtlindjeve në Yiwu po përmirësojnë materialet, stilizimin dhe nivelin e prodhimit. Në të kaluarën, zbukurimet prodhoheshin me bukë peshku, ndërsa tani më shpesh me dru, pëlhurë, hekur, madje edhe me qelq.

"Përmirësimi i produkteve sjell fitime të larta, prandaj kemi besim për të ardhmen e biznesit tonë", tha sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Produkteve të Krishtlindjeve të Yiwu-së Cai Qinliang.

Mrekulli
Lajmet Kryesore