Festa e Mesvjeshtës

2019-09-12 15:13:37 CRI Komenti juaj Printoni

15 gushti sipas kalendarit hënor kinez është festa tradicionale kineze, Festa e Mesvjeshtës. Sivjet kjo festë bie më 13 shtator sipas kalendarit ndërkombëtar.

Festa e Mesvjeshtës ka një histori të lashtë, ajo nisi në fillim të dinastisë Tang (618-907) dhe u popullarizua në dinastinë Song (960-1279). Në dinastinë Ming (1368-1644) e në atë Qing (1636-1912), Mesvjeshta u bë një nga festat më të rëndësishme tradicionale kineze, si Festa e Pranverës. Nën ndikimin e kulturës kineze, Festa e Mesvjeshtës është edhe një festë tradicionale në disa vende të Azisë Lindore e të Azisë Juglindore.

Festa e Mesvjeshtës është e lidhur me hënën dhe zakonet e kremtimit të kësaj feste përfshijnë adhurimin e Perëndisë së Hënës, admirimin e hënës etj. Për shkak të trajtës rrethore, në kulturën kineze, hëna është simboli i ribashkimit familjar, prandaj Mesvjeshta është edhe një festë e ribashkimit familjar.

Në këtë festë, kinezët kanë edhe zakonet e ndezjes së fenerëve, të pirjes së rakisë së ullirit të ëmbël, të ngrënies së "kekut të hënës" etj.

"Keku i hënës" është një ëmbëlsirë tradicionale kineze që hahet zakonisht gjatë Festës së Mesvjeshtës. Trajta rrethore e kekut simbolizon hënën e ribashkimin familjar. Në fillim, "keku i hënës" ishte një ushqim për adhurimin e Perëndisë së Hënës, por gradualisht u bë një ushqim i domosdoshëm për kremtimin e Festës së Mesvjeshtës. "Keku i hënës" bëhet kryesisht me miell, vezë, arra, sheqer etj. Në krahinat e ndryshme kineze janë formuar stile të ndryshme të këtij keku me shije pak të ndryshme.

Gjatë Festës së Mesvjeshtës, anëtarët e familjes ulen nën rrezet e hënës duke ngrënë "kekun e hënës". Kjo është një skenë tradicionale e kremtimit të festës nga kinezët. (Fani)

Mrekulli