Kinë, zhvillim i vrullshëm i transportit dhe komunikacionit

2019-09-10 16:28:41 CRI Komenti juaj Printoni

Qysh nga koha e lashtë deri më sot, transporti dhe komunikacioni kanë qenë dhe janë një element i rëndësishme për zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe janë të lidhur ngushtë me jetën e banorëve. Qysh nga themelimi i Kinës së Re, transporti dhe komunikacioni kanë pasur zhvillim të vrullshëm, me ndërtimin e një numri të madh rrugësh dhe urash. Kjo ka mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit.

"Ndër 10 urat e tipave të ndryshëm në botë, urat kineze zënë mbi gjysmën e tyre. Me modelin 'import-integrim-rinovim', Kina ka gjetur një rrugë zhvillimi me vetëndërtim dhe vetëkrijim, duke formuar një sistem industrial të plotë dhe të standardizuar," thotë Song Shenyou, kryeinxhinieri i projektit të transportit Shenzhen-Zhongshan.

"Pajisjet tona janë gjithnjë e më moderne, talentet janë gjithnjë e më të dalluara dhe teknikat e shpëtimit janë gjithnjë e më të shkëlqyera. Tani, kemi mbi 200 anije profesioniste për shpëtim detar, 74 ndër të cilat mund të përdoren në kushte të këqija detare," thotë Wan Qiuwen, kapitenia e Ekipit të Parë të Shpëtimit në detin e Kinës Lindore pranë Ministrisë së Transportit të Kinës.

Transporti është një pjesë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Gjatë 70 vjetëve pas formimit të Kinës së Re, posaçërisht gjatë 40 vjetëve të Reformës dhe Hapjes, sektori kinez i transportit ka pasur ndryshime të mëdha, duke nxitur fuqimisht zhvillimin ekonomiko-shoqëror të Kinës.

Inxhinieri Shong Shenyou bëri të ditur që në vitin 1957, Ura e Wuhan-it, e para në lumin Jance, është ndërtuar me ndihmën e Bashkimit Sovietik, dhe kjo ka hapur siparin e ndërtimit të urave në Kinën e Re.

Ai thotë që, me tender ndërkombëtar, Kina ka fituar projekte të mëdha ndërkombëtare, si projektimi i urës së 3-të dhe projektimi e ndërtimi i urës së 4-t në Kanalin e Panamasë. "Ura kineze" është përhapur tashmë në tregun botëror.

"Mund të themi që Kina është një vend i madh për sa i përket ndërtimit të urave dhe po zhvillohet drejt një vendi të fuqishëm në këtë drejtim. Si një inxhinier i strukturës së urave, unë personalisht jam shumë krenar," thotë Song Shenyou.

Shoferja e autobusit të linjës 1 të Pekinit, Chang Hongxia, shprehet që autobusi i linjës 1 është vënë në shërbim më 5 shtator 1935 dhe është një nga të parët që ka rifilluar shërbimin pas formimit të Kinës së Re.

"Linja 1 mban shumë kujtime dhe është quajtur nga qytetarët si Linja e Madhe," thotë Chang Hongxia, duke shtuar më tej që tani udhëtimi me këtë linjë është bërë një zgjedhje nga turistët vendës e të huaj.

Më 22 tetor 2017, autobusi elektrik "E kuqja kineze" (Zhongguo Hong) është vënë në përdorim për linjën 1. Në fillim, autobusët importoheshin nga jashtë ose modifikoheshin, por tani mund të prodhohen në fabrikat vendase dhe janë pajisur me teknologji moderne. Në kohën kur sapo u krijua Kina e Re, linjat e autobusit nuk shkonin jashtë unazës së 2-të të Pekinit, ndërsa tani ato mund të mbulojnë të gjitha zonat urbane e rurale, duke arritur në qytetet përreth në Hebei dhe Tianjin. Krahas këtyre, edhe mënyrat e pagesës kanë ndryshuar shumë, nga abonetë, biletat prej letre e kartat deri në skanimin e kodit.

"Për mua, me kaq shumë kushte moderne dhe me mbështetjen nga Bashkia e Pekinit, transporti në këtë qytet ka arritur të ketë një zhvillim kaq të shpejtë," thotë Chang Hongxia.

"Si kapiten anijeje, ndjenjat më të dukshme janë ndryshimet që kanë ndodhur tek anijet," thotë Jiang Long, kapiteni i anijes "Patrullimi Detar 01" pranë Ministrisë së Transportit dhe Komunikacionit të Kinës. Ai bëri të ditur që para vitit 1960, Kina nuk kishte aftësi për prodhimin e anijeve të mallrave me tonazh mbi 10 mijë tonë, ndërsa tani superanijet e mallrave të prodhuara nga vetë Kina, me kapacitet prej 21 mijë konteinerësh standardë, lundrojnë në mbarë botën. Në kohën e themelimit të Kinës së Re në vitin 1949, numri i anijeve patrulluese për mbikëqyrjen e sigurisë detare ishte më pak se 10, ndërsa tani ka arritur në afro 900.

Drejtori i Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Rrugëve në qytezën Jiangan të provincës Sichuan, Zeng Yun shprehet që në të kaluarën, rrugët kanë qenë me zhavorr e baltë dhe mirëmbajtja e tyre dhe mbartja e materialeve bëheshin krejtësisht me njerëz.

"Me shtimin e investimeve nga shteti, rrugët kanë ndryshuar nga prej zhavorri e baltë në beton të përzier me çimento dhe asfalt," thotë Zeng Yun. Ai shprehet që tani mirëmbajtja e rrugëve është futur në fazën e mekanizimit dhe profesionalizmit. Makinat shumëfunksionale dhe makinat e pastrimit i kanë ndihmuar mjaft punëtorët dhe kanë rritur efektivitetin e punës në rrugë.

Në të kaluarën, udhëtimi në Sichuan ishte i vështirë, ndërsa tani është shumë i lehtë. Rrjeti i transportit lidh qytetet, qytezat dhe fshatrat e kësaj province të Kinës Jugperëndimore dhe ka pakësuar kohën e udhëtimit, duke krijuar lehtësira të mëdha për njerëzit dhe duke nxitur zhvillimin ekonomik të zonave përreth.(Jiang Lei)

Mrekulli