Kina pret më shumë studentë të huaj nga vendet përgjatë "Një brez, një rrugë"

2019-06-17 14:29:44 CRI Komenti juaj Printoni

Krahas ndërtimit të "Një brez, një rrugë", që u sjell palëve pjesëmarrëse përfitime reale, edhe arsimi i lartë i Kinës po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në trajnimin e talenteve të huaja.

Arsimi i lartë kinez për studentët e huaj ka shënuar rritje të dukshme për sa i përket cilësisë dhe përmasave, sepse të rinjtë nga më shumë vende po vijnë në Kinë për të mësuar jo vetëm gjuhën e kulturën, por edhe teknologjitë e përparuara.

Aleanca universitare

Si pikënisje e Rrugës së Mëndafshit në lashtësi, qyteti Xian, kryeqendër e provincës Shaanxi të Kinës Veriperëndimore, zë një pozicion kyç në lidhjen e vendeve përgjatë nismës "Një brez, një rrugë" për sa i përket arsimit të lartë.

Në vitin 2015, Universiteti "Jiaotong" i Xian-it, një ndër universitetet më të mira të Shaanxi-së, përuroi Aleancën Universitare të Rrugës së Mëndafshit për trajnimin e talenteve ndërkombëtare në bazë të bashkëpunimit arsimor. Deri tani, kjo aleancë ka përfshirë 151 universitete të 38 vendeve.

Universiteti "Jiaotong" i Xian-it synon që brenda kornizës së aleancës, të trajnohen talentet në përputhje me kërkesat praktike të zbatimit të projekteve të nismës "Një brez, një rrugë". Në vitin 2018, ndër 2804 studentët ndërkombëtarë nga 136 vende e rajone të botës që studionin në këtë universitet, 70 % ishin nga vendet përgjatë "Një brez, një rrugë".

Chalwe Lengwe zgjodhi Universitetin "Jiaotong" të Xian-it për studimin e mjekësisë në vitin 2013, kur ishte 19 vjeç, dhe tani po bën praktikën në një spital vendor që ka bashkëpunim me këtë universitet.

"Në Zambia, janë të shumtë të rinjtë që duan të studiojnë mjekësi, mirëpo kemi pak shkolla mjekësore dhe shpenzimet janë të larta, sidomos në ato private. Kina është një ndër zgjedhjet më të mira, sepse ka arsim me cilësi të lartë dhe kosto të ulët", u shpreh Lengwe.

Ai planifikon të marrë lejen e ushtrimit të profesionit në Zambia pas diplomimit. "Arsyeja kryesore që zgjodha mjekësinë është të ndihmoj të tjerët, gjë që i jep kuptim jetës", theksoi Lengwe.

Ndërsa Muhammad Sohail Khan do të marrë doktoraturën e tij për mjekësi këtë vit në Kinë pas studimit prej 9 vitesh në Universitetin "Jiaotong" të Xian-it.

Nga viti 2010 deri në vitin 2014, ai kreu studimet katërvjeçare në Xian. Pas një vit praktike në Pakistan, Khani aplikoi pa ngurrim për studime pasuniversitare përsëri në Universitetin "Jiaotong".

Sofia Zachepylo, një studente e vitit të parë, është dashamirëse e kungfusë.

"Të gjitha historitë midis meje dhe Kinës burojnë nga Jackie Chan, kur isha vetëm gjashtë dhe fillova të mësoja gjuhën kineze dhe artet marciale", thotë Zachepylo. Kjo 19-vjeçare ukrainase që flet lirisht gjuhën kineze, është ylli i Shkollës së Ekonomisë dhe të Financave të Universitetit "Jiaotong" të Xian-it.

"Kina po përjeton zhvillim të shpejtë dhe mendoj se ajo do të bëhet ekonomia më e madhe në botë. Prandaj, dua të mësoj për ekonomi dhe tregti këtu", shtoi Zachepylo.

Në të njëjtën kohë, Universiteti "Jiaotong" i Xian-it po kërkon aktivisht edhe bashkëpunim më të gjerë me universitetet më të mira botërore në Europë dhe ShBA. Për shembull, me Universitetin Politeknik të Milanos, ky universitet ka krijuar një program të përgatitjes së përbashkët të studentëve në fushën e inxhinierisë elektrike.

Trajnimi i talenteve

Universiteti Chang'an, një ndër universitetet më të mira kineze për inxhinierinë e urave dhe të automjeteve, ka parë një rritje të shpejtë të studentëve ndërkombëtarë.

Nga viti 2013 deri tani, numri i studentëve të huaj në këtë universitet u shtua nga 409 në 1600. Ky universitet është bërë një shembull i modelit të bashkëpunimit midis shkollës së lartë dhe industrisë.

Sipas Ly Weidong, drejtor i Zyrës së Punëve të Studentëve Ndërkombëtarë të Universiteti Chang'an, shumica e studentëve të këtij universiteti janë nga vendet e Azisë Juglindore dhe Afrika.

"Shumë kompani ndërtimi që po marrin pjesë në nismën 'Një brez, një rrugë' na kërkojnë bashkëpunim, sepse trajnimi i talenteve vendore është një mënyrë efektive për të ulur koston dhe të lehtësuar punën e mirëmbajtjes së projekteve pas ndërtimit. Pa dyshim, një tjetër arsye e rëndësishme është se përgatitja e talenteve vendëse është edhe përgjegjësi që Kina mban për nxitjen e zhvillimit afatgjatë të vendeve përgjatë 'Një brez, një rrugë'", tha z. Ly.

Përsa i përket inxhinierisë së automjeteve, Universiteti Chang'an ka edhe program bashkëpunimi shkencor me Kompaninë e Automobilave të Shaanxi-së për s. Kompania ofron bursa për të trajnuar studentët kinezë dhe të huaj, sepse ajo po e zgjeron biznesin e saj në disa vende të Azisë Juglindore dhe të Afrikës, si Algjeri, Nepal, Laos dhe Kamboxhia.

Vjet, 1000 studentë të huaja u pranuan në këtë universitet dhe objektivi sivjet është 1600.

Një qendër trajnimi inxhinierik për projektet e përfshira në "Një brez, një rrugë" u krijua edhe në Universitetin Chang'an për ofrimin e trajnimit teknik 1-2 vjeçar të inxhinierëve të huaj.

Ly shtoi se pjesa dërrmuese e studentëve të diplomuar janë kthyer në atdheun e tyre dhe po punojnë në shumë projekte infrastrukturore. Disa prej tyre janë punësuar nga kompanitë kineze dhe janë duke punuar për projektet e ndërtimit në vende të ndryshme të botës.

Mrekulli
Lajmet Kryesore