Panda në Europë

2019-04-22 16:56:30 CRI Komenti juaj Printoni

Nga Holanda deri në Finlandë dhe Danimarkë, ardhja e pandave kineze në këto vende europiane është mirëpritur ngrohtësisht nga banorët vendorë. Këto "ambasadore të posaçme" jo vetëm kanë forcuar miqësinë, por edhe kanë ndihmuar në bashkëpunimin studimor për mbrojtjen e mjedisit dhe të kafshëve të planetit.

Më 10 prill, pasi princesha trashëgimtare e kurorës daneze Mary Elizabeth shpalli hapjen zyrtare për publikun të shtëpisë së pandave në kopshtin zoologjik të Kopenhagës, shumë banorë vendorë vërshuan atje për t'i parë nga afër këto krijesa të këndshme. Ndërsa, një ditë para hapjes ndaj publikut, mbretëresha daneze Margrethe II deklaroi vënien në funksionim të "Shtëpisë së pandave" dhe nisjen e projektit të bashkëpunimit studimor midis dy vendeve për mbrojtjen e pandave.

Dy anëtarët e rinj që përfshihen në familjen e madhe të kopshtit zoologjik janë Mao Sun dhe Xing Er, të cilët mbërritën në Danimarkë në fillim të prillit. Ata tani janë yjet më të shkëlqyer dhe më të mirëpritur nga vizitorët.

"Tani ata janë ambientuar shumë mirë me mjedisin tonë. Prandaj mund të them se jemi me fat. Do të kujdesimi dhe do të tregojmë shumë vëmendje për ta dhe dua t'i shpreh shumë falënderime qeverisë kineze që na bëri këtë nder", u shpreh z. Jorgen Horwitz, kryetar i bordit të kopshtit zoologjik të Kopenhagës.

Jorgen Nielsen, kryekzekutivi i kopshtit, u shpreh se institucioni i tij ka bërë shumë përgatitje për të mirëpritur "një ndër momentet më të rëndësishme në historinë 160-vjeçare të kopshtit". Kopshti zoologjik i Kopenhagës ka instaluar pajisjet më të përparuara, ka dërguar punonjës profesionistë, zoologë dhe veterinerë në Kinë për të mësuar nga specialistët kinezë, si edhe ka mbjellë posaçërisht bambu në Danimarkë për t'i ushqyer pandat.

Pas ceremonisë së hapjes, vizitorët duhej të prisnin në një radhë të gjatë për t'i parë pandat. Ndërkohë, shfaqjet artistike, ekspozita e mbrojtjes së pandave, një dramë muzikore për fëmijët e titulluar "Përralla e pandave", si dhe një koncert me temën e pandave tërhoqën shumë vizitorë.

Kina dhe Danimarka arritën konsensus për një program të përbashkët studimor mbi pandat gjatë vizitës së mbretëreshës Margrethe II në Kinë në vitin 2014. Marrëveshja zyrtare u nënshkrua në vitin 2017 gjatë vizitës së kryeministrit Lars Loekke Rasmussen në Pekin, e cila solli në Danimarkë dy panda nga Qendra e Rritjes së Pandave në qytetin Chengdu të Kinës Jugperëndimore.

Në janarin e vitit 2018, Hua Bao dhe Jin Baobao mbërritën në Finlandë, duke u bërë pandat e para që jetojnë në vendet nordike. Banorët vendorë u dhanë madje dy emra përkëdhelës, "Pyry" dhe "Lumi", që përkatësisht do të thonë "reshje e madhe dëbore" dhe "dëborë".

Kryeministri finlandez Juha Sipila tha se ardhja e dy pandave është "një gjë madhështore" për vendin e tij dhe rezultat i besimit të ndërsjellë.

Ndërsa në Holandë, pas konsultimeve dhe përgatitjeve prej 16 vjetësh, dy panda u caktuan si "të dërguara të posaçme" të Kinës gjatë vizitës shtetërore të çiftit mbretëror holandez në tetorin e vitit 2015 dhe mbërritën në kopshtin zoologjik "Ouwehands Dierenpark" të Hollandës në prillin e vitit 2017.

Panda është simbol i paqes dhe miqësisë dhe pëlqehet nga e gjithë bota. Por, rritja e pandës nuk është një gjë e lehtë. Meqë panda është një kafshë që rrezikohet të zhduket dhe është shumë e ndjeshme ndaj ndryshimit të mjedisit, vendet pritëse, për të marrë miratimin e qeverisë kineze, duhet të përgatisin të gjitha kushtet e përshtatshme, si edhe të paguajnë një tarifë për financimin e rritjes dhe studimit të pandave të tjera në Kinë. Jo vetëm kaq, por të gjitha pandat që banojnë në vende të huaja duhet të qëndrojnë atje vetëm për 15 vjet dhe, nëse lindin, fëmijët e tyre, pasi të mbushin tre vjeç, duhet të kthehen në Kinë për të nisur jetën në atdhe, ku ka mjedis më të mirë natyror për rritjen e saj.

Por, pavarësisht se ka vende si Holanda që kanë bërë përpjekje afro 20-vjeçare dhe më në fund e realizuan dëshirën, ka edhe një vend që e ka kthyer pandën pa mbushur afatin e kontraktuar.

Nuannuan ka lindur në Malajzi, por kjo princeshë e vogël mezi ambientohej me kushtet aty. Pavarësisht se rritej me dado dhe kujdestar të posaçëm, Nuannuan, pasi mbushi një vit e gjysmë, kur duhej të hante bambu, nuk pranonte të hante bambutë e prodhura në Malajzi. Pasi mësoi kërkesën e palës malajziane për ndihmë, baza e rritjes së pandave në Kinë transportoi me avion një kontingjent bambush të freskëta, duke e zgjidhur këtë problem. Mirëpo transportimi përditë me avion i bambuve të freskëta harxhonte shumë. Vetëm pas një muaji, kopshti zoologjik u ankua se nuk ishte në gjendje të përballonte shpenzimet. Prandaj, qeveria malajziane e ktheu para kohe pandën në Kinë në vitin 2018.

Tani Nuannuan rritet shumë mirë në Kinë në përkujdesjen e punonjësve të qendrës së rritjes dhe u bë e famshme në internet për historinë e saj të veçantë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore