Pasurimi nga forma e lashtë e artit popullor

2018-12-04 16:28:13 CRI Komenti juaj Printoni

Shtëpia e 36-vjeçares Gao Fengying nuk është e zakonshme. Ajo është një e ashtuquajtur shtëpi-shpellë. E megjithatë, ajo nuk është e ndryshme nga shtëpitë e tjera të Rrafshnaltës së Lymit, në Ansai të provincës Shaanxi të Kinës Veriperëndimore, me përjashtim të diçkaje: letrave të prera në ngjyrë të kuqe në mure dhe dritare, që i japin kësaj shtëpie një bukuri të veçantë. E jo vetëm kaq. Arti dhe zeja e lashtë e letërprerjes po sjell tani pasurimin jo vetëm të Gao Fengying-ut, por edhe të bashkëfshatarëve të saj.

"Vajza ime ka lindur në këtë shpellë," tregon babai i Gao Fengying-ut. "Ajo e la shkollën për shkak të varfërisë dhe ka punuar në bujqësi që fëmijë. Ime bijë filloi të mësonte prerjen e letrës që në moshën 8 vjeçe. Ajo është një vajzë e mençur … por nuk e mendoja se mund të siguronte jetesën nga prerja e letrës."

Arti i prerjes së letrës ka një histori prej më shumë se 1 500 vjetësh në Rrafshnaltën e Lymit. Letrat e prera përdoren për të zbukuruar dyert, dritaret, shtretërit etj., dhe shfaqin dëshirën e atyre që i vendosin ato për një fat të mirë.

Në të vërtetë, arti kinez i prerje së letrës është përfshirë në "Listën e trashëgimive kulturore jomateriale" të UNESCO-s falë kryesisht grave fshatare, të cilat në kohën e tyre të lirë kanë përdorur gërshërën ose thikën për të krijuar modele dhe objekte interesante të ndërlikuara.

Përkushtimi dhe zelli i këtyre grave e kanë kthyer atë që filloi si një metodë e prerjes së modeleve në letër për qëndisma, në një formë arti popullor.

"E mësova prerjen e letrës së pari nga nëna ime kur isha e vogël", shprehet Gao Fengying-u. "Punimet e mia u pëlqenin të gjithë njerëzve të familjes dhe fqinjëve. Kjo e shtoi besimin tim dhe më nxiti që të vazhdoj më tej."

Pas arritjes së famës si "mjeshtre e letërprerjes", e reja vendosi ta përdorë këtë aftësi të saj për ta nxjerrë familjen e saj nga varfëria, duke nisur biznesin e vet. Gao Fengying-u themeloi kompaninë e parë të prerjes së letrës në komunën Ganquan dhe së shpejti i dha fund asaj kohe kur ajo dhe familja e vet mezi nxirrnin bukën e gojës. Më vonë, ajo i propozoi komunës të hapte një punishte për t'i trajnuar gratë fshatare në artin e prerjes së letrës, në mënyrë që t'i ndihmonte ato të dilnin nga varfëria. Propozimi i saj u miratua dhe punishtja u bë mjaft e popullarizuar te vajzat dhe gratë e komunës.

Po përse e krijoi kompaninë dhe e hapi punishten Gao Fengying-u?

"Dua ta kaloj këtë formë arti popullor te brezat e ardhshëm, por gjithashtu dua të tregoj se ajo mund të përdoret edhe për të fituar para e për të ndryshuar jetën e njerëzve. Vetëm kur biznesi të jetë i qëndrueshëm, kjo formë arti mund të jetojë", shprehet ajo.

Ajo sheh me gëzim se kursi që organizon ndiqet nga shumë veta, kryesisht gra të papuna fshatare, mjaft prej të cilave qëndrojnë në këmbë duke dëgjuar udhëzimet e saj.

"Më ka pëlqyer të vizatoj që kur kam qenë e vogël," thotë 29-vjeçarja Liu Dongdong. "Jam shumë e lumtur që marr pjesë në këtë kurs të mësimit të prerjes së letrës. Mënyra e mësimdhënies e zonjës Gao është shumë e gjallë dhe shumë e kuptueshme ... Ajo dëshiron të na ndihmojë që edhe ne ta ndryshojmë gjendjen tone ekonomike. Unë dua që ta marr këtë mjeshtëri dhe të jem në gjendje të punoj në mënyrë të pavarur ... Kështu, edhe unë mund të rris të ardhurat e mia."

Ndërsa Tuo Zhenqin-i, një nënë 34-vjeçare e tre fëmijëve, e cila interpreton me daulle për turistët që vijnë në Ganquan, thotë se gjithmonë ka dashur të mësonte prerjen e letrës dhe se punishtja që ka ngritur Gao Fengying-u dhe kursi që jep ajo, ia ka krijuar këtë mundësi. "Nëse mësoj prerjen e letrës, mund të bëj edhe unë letra të prera dhe t'ua shes ato turistëve që vijnë te me. Gao Fengying-u na mëson një mjeshtëri ... Ajo gjithashtu u mëson kulturën vendore më të rinjve, ndërkohë që ndihmon në rritjen e të ardhurave tona," shprehet nëna e re, e cila ka shumë besim se fëmijët e saj do të kenë një jetë të ndryshme nga ajo e prindërve të tyre.

Mrekulli
Lajmet Kryesore