Minning-u, qyteza që mposhti varfërinë

2018-09-19 14:19:05 CRI Komenti juaj Printoni

Minning-u, dikur një tokë e shkretë dhe e pabanuar, është sot një qytezë prej 66 mijë banorësh, që të gjithë të ardhur, që pas 20 vjetësh zhvillimi, ka krijuar një model për uljen e varfërisë në Kinë.

Hai Guobao, nga kombësia kineze hui, është një banor i Minning-ut, që ndodhet në Rajonin Autonom të Ningxia-Huit në Kinën Veriperëndimore. Më parë ai jetonte në një fshat në Xihaigu, një zonë në jug të provincës, ku klima e ashpër, rrugët e këqija dhe gërryerjet e tokës e bënin jetën të vështirë. Programi Botëror i Ushqimit e përcaktoi Xihaigu-në si një ndër zonat më të pabanueshme në botë në vitin 1972. "Nuk kishim ujë të pijshëm, energji elektrike dhe rrugë të asfaltuara. Për breza të tërë ne donim të iknim. Varfëria ishte e padurueshme. Nuk kishim asgjë tjetër për të ngrënë nga mëngjesi në darkë përveçse patate. Shtigjet malore ishin të pakalueshme sa herë që binte shi", rrëfen Hai Guobao.

Në vitin 1996 në Kinë, si pjesë e fushatës për zbutjen e varfërisë, nisi zbatimi i skemës së ashtuquajtur "të binjakëzimit". Me këtë nismë, Ningxia e prapambetur në perëndim të Kinës u lidh me provincën e zhvilluar lindore të Fujian-it. Në atë kohë Xi Jinping-u, sot president i Kinës, ishte zv.sekretar i PKK-së i provincës Fujian. Ai u caktua në krye të grupit të punës për ndihmën ndaj Ningxia-s. Në vitin 1997 Xi Jinping-u vizitoi Xihaigu-në. Gjatë vizitës që do të bënte më pas, me rastin e 20-vjetorit të vendosjes së marrëdhënies mes Ningxia-së e Fujian-it, pikërisht në shtëpinë e re të Hai Guobao-s, z. Xi do të kujtonte: "Ishte një tronditje shumë e madhe kur pashë për herë të parë atë vend. Kisha parë dhe kisha jetuar në zona të varfra më parë dhe e dija se ç'është varfëria. Por kur e pashë një varfëri të tillë dhe një jetë aq të vështirë, u preka thellë."

Si kryetar i grupit të punës, Xi nxiti partneritetin mes kompanive nga Fujian-i dhe atyre nga Ningxia, për të parë mundësitë për zhvillimin e bizneseve me përfitime të përbashkëta. Ai po ashtu propozoi një program zhvendosjeje të banorëve nga Xihaigu në zonat më pjellore në brigjet e Lumit të Verdhë rreth 300 km larg. Qyteza e krijuar nga kjo zhvendosje vullnetare u quajt Minning, bashkimi i emrave të shkurtër të Fujian-it e Ningxia-së, "Min" e "Ning". Qyteza e re kishte shkollë, spitale dhe qendër tregtare. Banorët e saj nisën të merren me kultivimin e rrushit, kërpudhave dhe luleve, si edhe blegtori.

Të ardhurat e qytezës janë rritur nga 500 juanë në më shumë se 10 mijë juanë në vit.

Xie Xinchang-u, banor i Minning-ut, thotë: "Ekspertët nga Fujian-i na mësuan teknika të reja bujqësore. Qyteza ngriti rreth 300 sera për kultivimin e kërpudhave. Nga çdo serë mund të fitohen më shumë se 8 000 juanë në vit." Ndërsa Ma Guowen-i, po nga Minning-u, tregon: "Unë fitoj 30 – 50 mijë juanë nga rritja e deleve dhe 20 – 30 mijë juanë nga vreshtat e mia. Fitoj mbi dhjetëfish më shumë se më parë".

Edhe familja e Hai Guobao-s ka arritur tashmë pasurimin. Ata kanë shtëpinë e vet të re dhe një makinë. "Dikur hanim mish vetëm një herë në muaj, por sot mund të blejmë të gjitha llojet e ushqimeve. Kemi rrugë, energji elektrike dhe ujë. Është si një ëndërr e bërë realitet," thotë ai.

Por gëzimi më i madh për Hai Guobao-n janë tre nipërit dhe mbesat e tij që shkojnë në shkollë. "Shpresoj që ata të mësojnë me zell. Ëndrra ime më e madhe është që t'i shoh ata të shkojnë në universitet," shprehet 62-vjeçari.

Mrekulli
Lajmet Kryesore