Mengyin, fshati që u pasurua nga "pjeshkët e mjaltit"

2018-08-14 17:08:22 CRI Komenti juaj Printoni

Në Kinë, në dhjetëvjeçarët e fundit ka ndodhur procesi më i madh i urbanizimit në historinë e njerëzimit. Megjithatë, ekspertët mendojnë që nëse banorët e fshatit mbështeten vetëm te puna në qytet dhe te industrializimi në shkallë të gjerë, kjo do të çojë në atë që ata e quajnë "asfiksim" i zonave rurale, gjë që nuk është në të mirë të zhvillimit të vazhdueshëm të mbarë ekonomisë kombëtare. Po sipas këtyre ekspertëve, një mënyrë e arsyeshme dhe e shëndetshme e rritjes së të ardhurave të fshatarëve është shfrytëzimi i burimeve vendore dhe zhvillimi i bujqësisë, me një mbështetje më të madhe nga agrobiznesi, si edhe përmirësimi i infrastrukturës, veçanërisht i rrugëve. Një shembull suksesi është fshati malor Mengyin, i cili ka arritur pasurimin falë eksportit të frutave të tij, sidomos pjeshkëve.

Fshati Mengyin ndodhet në thellësi të malit Yimeng, në provincën Shandong të Kinës Lindore. Nëse shkon sot në këtë fshat, mund të shohësh gratë që ambalazhojnë fruta, kryesisht mollë dhe pjeshkë për eksport. Ato janë të punësuara në kompaninë e frutave "Wanhua" të këtij fshati dhe më të shkathëtat prej tyre mund të fitojnë mbi 300 juanë (rreth 45 dollarë amerikanë) në ditë. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu.

Mengyin-i shquhet për rritjen e të ashtuquajturave pjeshka mjalti, por megjithatë, fitimet e fshatarëve nga tregtimi i tyre nuk ishin të larta.

"Në të kaluarën, në fshat kishte vetëm një rrugë të vjetër të shkatërruar. Frutat që vilnim i mbartnim me karro të vogla, po ato prisheshin nga rruga e keqe dhe nuk i shitnim me çmim të lartë", kujton Liu Zonglu, themeluesi dhe drejtuesi i kompanisë "Wanhua".

Dhe dukej se fati i fshatit Mengyin ishte që të mbetej gjithnjë i varfër. Por ndërtimi i rrugës së re e ndryshoi këtë fat. Pas kësaj autoritetet vendore krijuan edhe rrjetin e përshtatshëm logjistik dhe të shpërndarjes. Kështu frutat e Mengyin-it nisën të shiten 5 % - 10 % më shtrenjtë se më parë, duke rritur të ardhurat e banorëve të tij.

Për Liu Zonglu-në, çelësi për të luftuar varfërinë qëndron te vizioni dhe ndërgjegjësimi për kërkesat e tregut.

Liu është marrë pothuajse gjithë jetën e vet me pemëtari. Ai i shiste frutat e veta kryesisht në fshatrat fqinje, por të ardhurat që nxirrte ishin shumë të vogla. Me ndërtimin e rrugës, ai e zgjeroi tregun e vet në mbarë provincën Shandong, e rrjedhimisht edhe fitimet, derisa arriti të krijojë kompaninë e vet, të cilën e quajti "Wanhua".

Një pikë kthese në biznesin e kompanisë ishte kur Liu mësoi se pjeshkat mund të shiteshin me një çmim të lartë në Dubai, por problem ishte se ato nuk mund të arrinin të freskëta aty, për shkak të largësisë.

Liu Zonglu shkoi në Shangai për t'u konsultuar me specialistë të ruajtjes së frutave, ndërkohë që u takua edhe me autoritetet doganore për të mësuar lidhur me procedurat e eksportit.

Fitimet në tregjet e huaja janë të mëdha, por kërkesat për cilësinë e frutave janë shumë të rrepta. Në Dubai, të gjitha frutat e importuara duhet të kenë një certifikatë të autoriteteve të eksportit, si edhe të dhëna për vendin e prodhimit dhe pikën e ambalazhimit. Veç kësaj, ka rregullore të rrepta pune dhe kërkesa të rrepta higjienike për procesin e prodhimit të frutave.

"Wanhua" i plotësoi të gjitha këto kërkesa, falë edhe një investimi prej 3 milionë juanësh dhe në vitin 2014, 20 tonë pjeshka mjalti të kësaj kompanie mbërritën në Dubai, duke sjellë fitime shumë herë më të mëdha se përpara, sepse pjeshkët u shitën me 20 juanë për kilogram atje, nga më pak se 1 juan në Shandong.

Kompania "Wanhua" arriti atë vit të shesë 40 000 tonë fruta. Të ardhurat nga shitjet arritën në 24 milionë juanë, kurse fitimet 707 000 juanë.

Në vitet në vijim kompania u rrit dhe nga pesë punonjës që kishte në fillim, tani ka 60 punonjës të përhershëm, ndërkohë që në kulmin e sezonit për të punojnë deri në 200 fermerë, të ardhurat vjetore të të cilëve janë rritur mesatarisht me 5000 juanë.

Përveç pjeshkëve, "Wanhua" nisi të eksportojë edhe mollë. Tani mollët dhe pjeshkët e prodhuara nga kompania tregtohen në më shumë se 20 vende, si ShBA-ja, Tajlanda, Singapori etj. Të ardhurat e kompanisë nga eksporti në vitin 2017 arritën në 20 milionë dollarë.

"Ishte e pamundur të mendohej më parë një gjë e tillë," thotë Liu Zonglu.

Kompania e tij ka krijoi gjithashtu një platformë të tregtisë elektronike për shitjen e frutave të freskëta në internet, me shitje që i kalojnë 10 milionë juanët.

Suksesi i kompanisë ka bërë jo vetëm që shumë nga të rinjtë e fshatit që kishin shkuar për të punuar në qytet të kthehen, por gjithashtu ka tërhequr edhe banorë nga fshatrat e tjerë të lokalitetit Linyi të cilit i përket edhe Mengyin-i. Falë kompanisë 390 familje të varfra nga ky lokalitet kanë dalë nga varfërisë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore