Mirë se vini në Shqipëri--- Përvojat

2018-06-13 10:06:40 CRI Komenti juaj Printoni

Kohët e fundit, qeveria shqiptare vendosi që për periudhën nga 1 prilli deri më 31 tetor 2018, shtetasit me pasaporta të zakonshme nga nëntë vende, duke përfshirë Kinën, të hyjnë pa viza në Shqipëri. Pas publikimit të politikës, sektorët përkatës të palës shqiptare nisën angazhimin aktiv. Në fillim të muajit maj, Shqipëria dërgoi për vizitë në Kinë një delegacion shqiptar turistik prej 25 anëtarësh për të marrë pjesë në kurset për menaxhimin turistik dhe për shoqërues turistësh. Gjatë 20 ditëve të qëndrimit në Kinë ata prezantuan burimet e pasur turistike të Shqipërisë. Shqipëria, si një vend që po zhvillon pandërprerë industrinë e turizmit, nxit shqiparët të mësojnë nga përvojat e administrimit turistik të Kinës dhe falë këtyre përvojave, të tërheqë sa më shumë turistë të huaj në vend.

Trajnimi u mundësua nga Ministria e Tregtisë, ndërsa për zhvillimin e kurseve u angazhuan Universiteti i Tregtisë i Harbinit e Universiteti Heilongjiang. Tematika e trajnimit u nda në dy pjesë: mësojmë nga përvoja e specialistëve kinezë dhe vizitat në pikat turistike për vëzhgim.

Kreu i këtij delegacioni, eksperti i Standardeve të Turizmit nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit Gertjon Çobo u shpreh se nëpërmjet trajnimit disaditësh, ai dhe anëtarët e delegacionit kontaktuan me punonjës të i sektorit turistik si dhe turistë kinezë për të shtuar njohjet e ndërsjellta. Një nga pikat më të rëndësishme ishte që delegacioni krijoi lidhje me kompani ose agjenci turistike kineze që ofrojnë garanci për zhvillimin e turistik të Shqipërisë.

"Kjo vizitë në Kinë ishte një nga eksperiencat më të bukura dhe më frytdhënëse që kemi përjetuar të gjithë, tek të gjtihë anëtarët e delegacionit ekziston një lloj entuziazmi për këtë vizitë. Ne jemi njohur me shumë faktorë të rinj siç janë kultura kineze, standardet e hoteleve në Kinë, kemi takuar specialistë në Bashkinë e Harbinit, kemi takuar operatorë turistikë në Harbin, në Pekin, në Dalian. Të gjitha këto takime kanë qenë shumë frytdhënëse për të gjithë ne, kryesisht për operatorët turistikë, të cilët kanë krijuar kontakte me operatortë turistikë kinezë këtu në Kinë dhe kjo besoj është një faktor që do të japë shumë shpejt rezultatet e duhura në Shqipëri, pra nëpërmjet rritjes së numrit të turistëve. Ajo çka më gëzoi më shumë është se kemi marrë një lloj premtimi nga operatorët kinezë që do ta vizitojnë shumë shpejt Shqipërinë dhe kjo na inkurajon si delegacion, por gjithashtu nga bën edhe më të përgjegjshëm për të ofruar të gjitha hapat e nevojshme që ata të gjejnë vetveten në Shqipëri."

Rregullat e sektorit turistik kinez dhe masat e qeverisë ndaj këtij sektori i bënë shumë përshtypje përfaqësuesit nga grupi i Operatorëve Turistikë, z. Alban Muharremi. Ai tha se përfitimet më të mëdha të kësaj vizite janë pikërisht këto rregulla. Ai është i mendimit se përvojat e menaxhimit të industrisë turistike do ta ndihmojnë zhvillimin e tregut turistik shqiptar.

"Ne u njohëm kryesisht që në fillim me zhvillimet politike e shoqërore kineze të cilat na krijuan një ide më të qartë në lidhje me turizmin në veçanti. Turizmi i qëndrueshëm ishte një aspekt shumë i rëndësishëm, trajtimi i tij nga ana e shtetit kinez por edhe tour operatorët, zhvillimi i tij duke ruajtur ambjentin dhe zhvillimi ekonomik nga ana tjetër, ishin një aspekt shumë i rëndësishëm i cili do të na vlejë edhe neve me kthimin në Shqipëri për të bashkëpunuar me shtetin tone dhe Ministrinë e Turizmit, për të krijuar qoftë ligje, qoftë amendime ligjore me ndryshimet që duhen, të cilat ne i vërejtëm të aplikuara këtu në shtetin e Kinës."

Modeli i trajnimit në Kinë i ofroi delegacionit shqiptar përvojë konkrete, ku teoria konkretizohet me praktikën. Elkierd Deliu, përfaqësues nga grupi i Udhërrëfyesve që kanë ardhur në Kinë u shpreh se vizita e tij në muze i dha ide interesante.

"Pamë këtu se funksiononte shumë sistemi i audio guidave nëpërmjet skanimit të barkodeve dhe kjo na dha një ide më shumë."

Maksim Hoxha, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë për jugun e Shqipërisë si dhe administrator i Hotel "Çajupi"-t në Gjirokastër tha se Kina për shqiptarët e thjeshtë është një vend i largët oriental me një kulturë shumë të ndryshme nga ajo e Shqipërisë. Ai shprehu dëshirën për t'u ofruar sa më shumë shërbime cilësore turistëve kinezë, por para ardhjes në Kinë, delegacioni nuk kishte të gjitha njohuritë e duhura. Nëpërmjet kurseve, ata gjetën përgjigjet e shumë pyetjeve. Ai beson se hotelet shqiptare do të tërheqin më shumë turistë kinezë.

"Për bërjen të mundur të ardhjes në Kinë me këtë grup kaq simpatik, me një përbërje nga pozicione të ndryshme, së pari dua të falënderoj ambasadoren e Kinës, shtetin kinez, që mundësoi ardhjen tonë, Universitetin e Harbinit, profesorët dhe lektorët me të cilët zhvilluam temat mësimore dy javët e para dhe mësuam disa gjëra shtesë që turistët kinezë duan.Në përgjithësi, pjesa kryesore e strukturave i përfshin pjesën më të madhe të gjërave që ata duan. Internet, Wi-fi falas ka në çdo vend. Pjesa e ujit të ngrohtë, e çajnikëve nëpër dhoma, besoj se është shumë e thjeshtë për t'u realizuar. Unë kam nderin që të jem edhe kryetar i Dhomës së Tregtisë së rajonit jugor dhe një nga sektorët e Dhomës së Tregtisë është edhe sektori i hoteleri-turizmit, me të cilët do të kontaktoj sapo të arrij dhe do të bëjmë takimin e radhës, për t'ua bërë të ditura të gjitha këto çfarë pashë, çfarë dëgjova dhe çfarë duhet. Ajo që ne shpresojmë, edhe nga takimet me operatorët turistikë, është që të vazhdojë të rritet numri i vizitorëve kinezë, pasi ne na lidhin shumë gjëra me popullin e Kinës." (Çang Çuo/Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore