Kompanitë kineze po bëhen më tërheqëse për të rinjtë

2018-05-21 17:17:21 CRI Komenti juaj Printoni

Kur ndodhej para dy ofertash pune, një nga kompania Huawei dhe tjetra nga kompania franceze Schneider Electric, Meng Lei zgjodhi më në fund atë të vendit, Huawei-n, një gjigant kinez i prodhimit të pajisjeve dhe ofrimit të mbështetjes teknologjike në fushën e telekomunikacionit.

"Në të kaluarën, firmat e huaja me stil modern jetese dhe menaxhim të përparuar kanë qenë më të pëlqyera nga të rinjtë kinezë. Por vitet e fundit, ne preferojmë më shumë kompanitë e vendit që kanë perspektivë më të ndritur në industri që janë në zhvillim e sipër sepse ato kanë aftësi të dukshme konkurruese," i tha gazetës "Global Times", një e sapodiplomuar nga Universiteti i Pekinit, një ndër universitetet më të mira të Kinës.

Sipas saj, ky vend pune i parë pas diplomimit me pagë e shpërblime të larta dhe epërsi konkurruese profesionale, do të hedhë një bazë shëndoshë për karrierën e saj të ardhshme.

Një raport i publikuar së fundmi nga LinkedIn tregon se tani në mendimet e të diplomuarve kinezë, renditja e punëdhënësve të huaj ka rënë poshtë kompanive shtetërore kineze dhe atyre private sidomos në fushën e telekomunikacionit, të medias dhe të teknologjisë.

Ndërkohë, kur më shumë marka kineze po zgjerohen në tregun e tyre, gjigantët e huaj ndërkombëtarë po zbatojnë masa të reja strategjike, duke përfshirë reduktimin e punonjësve për të mbijetuar në tregun kinez.

Në vitin 2017, gjiganti amerikan i teknologjisë Seagate Technology deklaroi mbylljen e qendrës së saj më të madhe në botë për prodhimin e diskut të memories (Hard Disc Drive) në qytetin Suzhou të Kinës Lindore. Oracle, konglomerati tjetër amerikan shpallin reduktimin e mbi 200 vendeve të punës në një qendër kërkim zhvillimi (R&D) në Pekin. Kurse kompania e njohur e industrisë dixhitale General Electric bëri e ditur kohët e fundit se do të mbyllë qendrën e saj teknologjike në Shangai, duke larguar nga puna mijëra punonjës.

Para mbi dhjetë vjetësh, logot e HP-së dhe Motorolas ndriçonin çdo natë mbi rrokaqiejt e Guomao-s, Distriktit Qendror të Biznesit të Pekinit (CBD). Atë kohë, industria e telekomunikacionit ishte në periudhën e saj të artë në Kinë.

Gjatë tre dekadave, shumë kompani më të njohura botërore si Apple, Shell, Sumitomo Mitsui dhe HSBC që kishin biznes në Kinë u përqendruan në Guomao të njohur dhe si Manhattan-i i Pekinit. Sipas statistikave, në kulmin e zhvillimit, ndër 500 kompanitë më të fuqishme globale, mbi 170 kishin degë në këtë zonë rreth 10 kilometra katrore, duke punësuar rreth 400 mijë veta.

Por, tani disa prej tyre po zhvendosen nga qendra e kryeqytetit për në distrikte periferike për të ulur kostot e qirasë. Ndër to, Intel, Yahoo, Mercedes, HP, Motorola dhe Alston. Ndërkohë, numri i kompanive kineze është rritur në mënyrë të ndjeshme.

Zhang Yong, menaxher i një kompanie ndërkombëtare të farmaceutikës u shpreh se për të kontrolluar buxhetin, firma e tij ka ndryshuar vendin e organizimit të aktiviteteve të frymëzimit të punonjësve nga Australia në qytetin Sanya të Kinës Jugore. Kurse, çmimi që u jepet punonjësve më të dalluar vjetorë u shndërrua nga vizita për dy veta në Europë deri në një celular.

"Paga e lartë, hotelet me pesë yje dhe mbledhjet e profilit të lartë kanë qenë kushte normale për të punëmarrësit e firmave të huaja në Kinë. Por tani, një gjë e tillë është më se e zakonshme edhe për shumë ndërmarrje të pasura kineze," thotë Carrie Wang që punon për një bankë të huaj në Pekin.

"Tani për shumë të diplomuar kinezë, mentaliteti i vjetër për epërsi konkurruese i firmave të huaja në rekrutimin e stafit, nuk qëndron më. Ata duan më shumë të punojnë për gjigantë vendorë të tregtisë elektronike si Alibaba apo Huawei," thotë znj. Wang.

Lulëzimi i ndërmarrjeve të huaja në Kinë filloi nga viti 1994, kur biznesmenët gëzonin politika më të favorshme sesa rivalët e tyre kinezë në shumë aspekte, qoftë për taksat, përdorimin e tokës apo shërbimet administrative.

Ndërsa, vitet e fundit, ndryshimet politike po e zvogëlojnë këtë hendek. Për shembull, përqindja e taksave mbi të ardhurat e kompanive të huaja dhe atyre kineze u njehsua në vitin 2008.

Megjithatë, vetëm kjo nuk mund të shpjegojë uljen e ndikimit së operatorëve të huaj në tregun kinez as të vërtetojë se kompanitë kineze tani kanë epërsi në të gjitha fushat sepse shumica e firmave të huaja që u përmendën sipër janë kryesisht në sektorin e teknologjisë së telekomunikacionit apo të informacionit dhe nuk përfaqësojnë të gjitha kompanitë e huaja në Kinë.

Faktikisht, Kina me kushte të favorshme dhe treg me mundësi të mëdha, ka ruajtur statusin e saj si një ndër destinacionet më të pëlqyera të investitorëve të huaj. Sipas raportit të OKB-së, vjet, Kina ka thithur mbi 135 miliardë dollarë amerikanë investime të huaja, duke u renditur pas ShBA-së.

Ndërsa, një tendencë tjetër që mund të shohim është se Kina do të hapet më shumë ndaj botës së jashtme. Ministri kinez i Tregtisë, Zhong Shan ka deklaruar disa herë se dikasteri që ai drejton, gjatë zbatimit të Reformës dhe të Hapjes do të vërë në jetë premtimet e mëparshme për hapjen e sektorit financiar, të manifakturave, etj., duke zgjeruar fushat e hapjes së sektorëve në telekomunikacion, mjekësi, arsim dhe automjetet me energji të re ndaj investitorëve të huaj.

Prandaj, me shtimin e më shumë investimeve në këto fusha, kompanitë e huaja mund të gjejnë dhe shanse të reja në Kinë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore