Festivali i Filmit Kinez në Francë shfaq nivelin e kinematografisë bashkëkohore kineze

2018-05-17 10:28:41 CRI Komenti juaj Printoni

Në një konferencë shtypi të zhvilluar më 11 maj në Kanë të Francës u njoftua se nga 28 maj deri më 10 korrik të këtij viti do të zhvillohet në shtatë qytete franceze, si Paris, Lion etj., Festivali i 8-të i Filmit Kinez në Francë. Kjo konferencë shtypi u zhvillua në kuadër të edicionit të sivjetshëm të Festivalit të Filmit të Kanës. Bashkëpresidenti i Festivalit të Filmit Kinez në Francë Yan Zhenquan u shpreh se Festivali i Filmit i Kanës ka tërhequr mediat e kinematografisë nga e gjithë bota dhe zhvillimi i kësaj konference shtypi me këtë rast do të sjellë promovimin e kinematografisë kineze.

Në konferencën e shtypit u shfaq videoja promovuese e Festivalit të Filmit Kinez në Francë dhe u shpallën nëntë filmat që do të shfaqen në festival. Këta filma të përzgjedhur janë shfaqur për herë të parë vitin e kaluar dhe në to përfshihen "Wolf Warriors II", që theu rekordin e të ardhurave nga shitja e biletave të një filmi kinez, si edhe "Our time will come" ("Koha jonë do të vijë"), që u shpall filmi më i mirë në edicionin e vjetshëm të Çmimeve të Filmit të Hong-Kongut etj. Filmi romantik "Forever young" ("Përgjithmonë të rinj") do të shfaqet në ceremoninë e hapjes së festivalit. Yan Zhenquan-i është i mendimit se filmat mund të tregojnë plotësisht nivelin e kinematografisë bashkëkohore kineze:

"Këta nëntë filma të përzgjedhur përfaqësojnë llojet e ndryshme të filmave kinezë dhe janë mirëpritur shumë nga shikuesit kinezë. Jam i bindur se ata mund të pasqyrojnë në mënyrë të përkryer nivelin e filmave bashkëkohorë kinezë."

Drejtori i përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Kinemasë të Francës Christophe Tardieu mendon se Festivali i Filmit Kinez në Francë është një platformë shumë e mirë për shkëmbimet kinematografike midis dy vendeve:

"Po pres hapjen e Festivalit të Filmit Kinez të këtij viti, sepse ky është një rast shumë i mirë për njohjen e filmave kinezë nga shikuesit francezë. Njëkohësisht, filmat francezë kanë tërhequr shumë admirues në Kinë. Shpresoj se dy palët do të shtojnë shkëmbimet në këtë fushë, sepse shkëmbimet do të shtojnë njohjen midis tyre."

Drejtori i Kinematekës Franceze Serge Toubiana ka qenë shumë herë në Kinë. Ai është i bindur se shikuesit francezë mund ta njohin Kinën e vërtetë nëpërmjet Festivalit të Filmit Kinez në Francë, sepse kinematografia është një dritare e mirë për njohjen e një vendi.

"Jam i mendimit se kinematografia është një art që ndihmon në njohjen e kulturës, traditave e mënyrës së jetesës të popujve të tjerë. Kur vizitoj vendet e tjera, zakonisht e njoh gjendjen e tyre nëpërmjet filmit. Mendoj se Kina është një vend që duhet të kuptohet thellësisht. Ka nga ata që thonë se një vend mund të njihet nëpërmjet ushqimit, ndërsa për mua, kinematografia është mënyra më e mirë. Filmat që do të shfaqen në Festivalin e Filmit Kinez mund t'i ndihmojnë shikuesit francezë ta njohin Kinën," tha Serge Toubiana.

Regjisori kinez Jia Zhangke ka famë të madhe në qarqet franceze të kinematografisë. Sivjet, vepra e fundit e tij "Ash is purest white" ("Hiri është e bardha më e pastër") konkurron në Festivalin e Filmit të Kanës. Jia Zhangke ka zhvilluar shumë herë bashkëpunim me kineastët francezë për prodhimin e filmave. Duke folur për bashkëpunimin e ardhshëm kinematografik midis Kinës e Francës, ai është i mendimit se shkëmbimet dypalëshe në fushën e ideve krijuese do të zëvendësojnë shkëmbimet vetëm në fushën e investimeve e të teknologjisë:

"Ky është proces zhvillimi hap pas hapi. Për shembull, në fillim Qendra Kombëtare e Kinemasë e Francës i ftoi disa regjisorë kinezë të vijnë në Francë për zhvillimin e shkëmbimeve. Kurse tani shkëmbimet e ideve krijuese janë më të rëndësishme. Të dy palët bëjnë përpjekje për të gjetur tema me interes të përbashkët. Ky është një përparim." (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore