A do të përsëritet historia? Ndikimi i tërheqjes amerikane nga marrëveshja e Iranit mbi samitin Trump – Kim

2018-05-16 11:28:13 CRI Komenti juaj Printoni

Koreja e Veriut njoftoi se do të çmontojë stacionin e saj të provave bërthamore. Sipas Agjencisë Qendrore të Lajmeve, "në përputhje me vendimin e Plenumit të Tretë të Komitetit Qendror, Instituti i Armëve Bërthamore dhe institucionet e tjera përgjegjëse po marrin masa praktike për të ndërprerë punën në qendrën e provave bërthamore".

Vendimi i Phenianit u përshëndet menjëherë nga autoritetet kineze. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Lu Kang theksoi se qëndrimi pozitiv i Koresë së Veriut për çarmatimin bërthamor të Gadishullit Korean duhet të marrë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Koreja e Veriut njoftoi më 12 maj se nga 23 deri më 25 maj do të zhvillojë ceremoninë e nisjes së çmontimit të qendrës së provave bërthamore, në varësi të kushteve të motit.

Deklarata e shpërndarë nga agjencia qendrore e lajmeve thekson marrjen e masave teknike për të siguruar një proces transparent të çmontimit të stacionit Punggye-ri.

Në ceremoni janë ftuar të marrin pjesë gazetarë nga Kina, Rusia, SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Koreja e Jugut.

"Jemi njohur me deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Koresë së Veriut. Pala kineze është e mendimit se masat e Phenianit shfaqin qëndrim pozitiv për nxitjen e çarmatimit bërthamor të Gadishullit Korean dhe ndërtimin e besimit reciprok me palët e përfshira. Këto masa janë në favor të zgjidhjes politike të çështjeve në Gadishullin Korean dhe ato duhet të mirëpriten, nxiten dhe përkrahen nga bashkësia ndërkombëtare," tha Lu Kang.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo i ofroi Phenianit "garanci sigurie" dhe lejimin e firmave private amerikane që të investojnë për të modernizuar rrjetin e dobët dhe të vjetruar elektrik të vendit. Zëdhënësi i diplomacisë kineze e përshëndeti gjithashtu propozimin e Pompeo-s.

"I kemi dëgjuar deklaratat e sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo dhe i vlerësojmë pozitivisht ato. Kina ka bërë thirrje të vazhdueshme që palët t'i zgjidhin mosmarrëveshjet për çështjen bërthamore në rrugë diplomatike, të plotësojnë drejt kërkesat e përshtatshme të palëve të përfshira e veçanërisht kërkesën e Phenianit për siguri."

Koment/ Kim përpara shpërbërjes së marrëveshjes bërthamore iraniane

Largimi i ShBA-së nga marrëveshja bërthamore e Iranit mund t'ia bëjë më të vështirë Uashingtonit arritjen e një marrëveshjeje me Phenianin, pasi Kim Jong Un-it po i dërgohet një mesazh i ftohtë se çdo angazhim i ShBA-ve ose garancia e sigurisë mund të ndryshohet lehtësisht.

Që kur Donald Trump mori detyrën, ShBA-ja ka braktisur disa marrëveshje ndërkombëtare mbi bazën e politikës "Amerika e Para". Nga marrëveshja e klimës e Parisit te Partneriteti Trans-Paqësor dhe tani marrëveshja me Iranin. Me këtë rritëm, administrata e Trump-it i kujton vazhdimisht pjesës tjetër të botës se ShBA-ja mund ta ndryshojnë lehtë mendjen.

Kimi mund të jetë paralajmëruar për këtë edhe nga babai i ndjerë. Më 18 tetor 1994, administrata e presidentit Klinton dhe Koreja e Veriut nënshkruan marrëveshjen kornizë.

Sipas asaj marrëveshjeje, Pheniani duhej të ndalonte ndërtimin e reaktorëve që mund të përdoreshin për prodhimin e armëve bërthamore; në këmbim, ShBA-ja do të ndërtonte për Korenë e Veriut dy reaktorë bërthamorë me ujë të lehtë që mund të prodhonin energji, por jo karburant bërthamor, si dhe do t'i ofronte 500,000 ton naftë çdo vit.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Koreja e Veriut pezulloi aktivitetet bërthamore dhe i lejoi inspektorët të ktheheshin. Megjithatë, ShBA-ja shpesh i vononte dërgesat e naftës, ndërsa reaktorët e ujit të lehtë nuk u ndërtuan kurrë.

Në vitin 2002, administrata Bush e etiketoi Korenë e Veriut si pjesë të "Boshtit të së Keqes", duke vrarë atë që kishte mbetur nga fryma e marrëveshjes kornizë.

Gjatë takimit të tij të fundit me presidentin kinez Xi Jinping, Kim Jong Un tha se Koreja e Veriut nuk kishte nevojë për armë bërthamore "për sa kohë palët përkatëse eliminonin politikat armiqësore dhe kërcënimet e sigurisë" ndaj Phenianit, duke bërë një referencë të qartë ndaj ShBA-së.

Pengesa më e madhe për çarmatimin e gadishullit Korean është ndjenja e pasigurisë e Koresë së Veriut.

Mungesa e besimit midis Phenianit dhe Uashingtonit është i madh dhe Kim mund të ketë nxjerrë mësime nga Iraku dhe Libia, se ShBA sulmon vetëm në vende që nuk kanë armë të shkatërrimit në masë.

Në vitin 2003, ShBA-ja pushtoi Irakun dhe përmbysi regjimin e e Saddam Hussein-it me pretekstin e lidhjeve të tij me al Kaedën dhe përpjekjen e vazhdueshme për të ndërtuar armë bërthamore, kimike dhe biologjike. Por, provat reale për ato akuza nuk u gjetën kurrë.

Ish-udhëheqësi libian Muamar Gadafi hoqi dorë vullnetarisht nga programi i tij bërthamor në vitin 2003 dhe lejoi inspektorët ndërkombëtarë të verifikojnë dhe mbikëqyrin procesin. Megjithatë, duke vepruar kështu, ai ndihmoi rrëzimin e tij, kur Pranvera Arabe përfshiu Libinë në vitin 2011.

Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të NATO-s mbështetën kryengritjen dhe bombarduan forcat libiane, duke nxitur rënien e regjimit të Gadafit.

A do të përsëritet historia?

Si do t'i ofrojë siguri Donald Trump-i Kim Jong Un-it për të hequr dorë nga programi bërthamor në samitin e tyre të ardhshëm? Por edhe në qoftë se arrihet një marrëveshje, a mund sigurohet Kim se ShBA-ja do të mbajë fjalën e dhënë në të ardhmen?

Tërheqja e Trump-it nga marrëveshja bërthamore iraniane e vë në pikëpyetje besueshmërinë globale të Amerikës. Ky është një tjetër kërcënim për qeverisjen globale dhe diplomacinë shumëpalëshe dhe ndoshta do ta vështirësojë vendosjen e besimit midis Phenianit dhe Uashingtonit.

Megjithatë, ka ende ka shpresë për çarmatimin bërthamor, pasi Pheniani u zotua publikisht për të çmontuar objektin e tij të provave bërthamore. Pa mëdyshje, rasti i Iranit e bëri më të vështirë dhe më serioze nga ç'ishte krizën e besimit midis Phenianit dhe Uashingtonit. (Leftion Peristeri)

Mrekulli