Zhvillimi i trurit të fëmijës

2018-03-23 17:13:42 CRI Komenti juaj Printoni

Mënyra se si prindërit sillen ndaj fëmijëve (me dashuri ose jo) deri në vitin e tyre të dytë ndikon direkt në zhvillimin e trurit dhe funksionimin e tij në moshën e rritur.Një studim i Universitetit të Uashingtonit ka konstatuar se zhvillimi i trurit të fëmijës varet nga kujdesi dhe dashuria e nënës.Shkencëtarët në bazë të skanimeve të trurit të trevjeçarëve kanë konstatuar që truri i fëmijës për të cilin prindërit janë kujdesur vazhdimisht është më i madh se truri i fëmijëve të cilët janë neglizhuar nga prindërit. Rritja e qelizave trunore varet nga sasia e dashurisë që e merr fëmija, ka vërtetuar studimi. Në fotografinë është paraqitur truri i dy-trevjeçarëve. Truri i parë i takon fëmijës prindërit e të cilit janë kujdesur për të, ndërsa i dyti fëmijës së lënë pas dore. Mënyra se si veprojnë prindërit me fëmijën deri te viti i dytë ndikon direkt në atë se si do të funksionojë truri i tij në moshë të rritur. Neglizhenca dhe abuzimi janë faktorë që ndikojnë në inteligjencën e ulët, pamundësinë e ndierjes së dhembshurisë, prirjes kriminale dhe varësisë nga drogat.

"Prindërit duhet të mendojnë mirë se në çfarë mënyre sillen ndaj fëmijës, sepse kjo ndikon në zhvillimin total të tyre, madje dhe në madhësinë e trurit. Volumi i reduktuar i trurit lidhet me sëmundjen e Alzheimerit, depresionin dhe skizofreninë", – ka theksuar udhëheqësja e hulumtimit, Joan L. Luby.

Hulumtimet e mëhershme kanë vërtetuar që dashuria e nënës ndikon në mënyrë pozitive në trurin e fëmijës, veçanërisht në hipokampus, pjesën e trurit përgjegjës për mësim, kujtesë dhe përballjen me stres.

Truri i fëmijëve është një organ veçanërisht i prekshëm, i ndikuar nga faktorë të ndryshëm. Një bebe lind me të gjitha qelizat e trurit që i nevojiten, por këto nuk janë të lidhura. Lidhjet që do të zhvillohen në vitet e ardhshme do të lejojnë fëmijën të mësojë botën përreth tij. Në moshën 3 vjeçare, do të jenë krijuar rreth një trilionë lidhje.

Ushqimi luan rol kryesor në krijimin e këtyre lidhjeve dhe formimit të duhur të trurit. Furnizimi me ushqyesit e duhur, të përmendura më poshtë, do të sigurojnë çdo gjë që duhet për trupin e fëmijës për të arritur rritje optimale.

Proteinat

Truri i bebeve në zhvillim ka nevojë për proteina ose me saktë aminoacide për të krijuar neurotransmetues. Neurotransmetuesit lejojnë qelizat e trurit të komunikojnë mes tyre. Për shembull: triptofani aminoacid është pararendësi i prodhuesit të serotoninës, e cila lejon gjumë të mirë. Norepinefrine, një neurotransmetues përgjegjës për mundësinë e të qenurit vigjilent krijohet nga aminoacidi tyrosine. Foshnjat kanë nevojë për 9-11 gramë proteina në ditë, të cilat ata i gjejnë lehtësisht në qumësht, ndërsa fëmijët 2-4 vjeç kanë nevojë për rreth 13 gramë mesatarisht (në varësi të peshës) të cilat ata i marrin me konsumin e qumështit dhe ushqimeve të ngurta.

Energji - Kalori

Një studim i publikuar në vitin 2008 në Indi, ku shumë fëmijë konsiderohen që vuajnë nga kequshqyerja, tregoi se disa prej tyre vuanin nga zhvillim dhe aftësi njohëse të vonuara. Kaloritë e duhura dhe kryesisht karbohidratet sigurojnë karburant për funksionimin normal të trurit. Fëmijët 2-5 vjeç kanë nevojë për 1000 deri në 1600 kalori në ditë në varësi të karakteristikave trupore dhe aktivitetit të tyre. Për të siguruar mjaftueshmërinë e energjisë së ofruar nga ushqimi, kontrollo gjithmonë grafikët e peshës dhe gjatësisë. Nëse ato janë në përputhje me limitet, atëherë nuk ka vend për shqetësim.

Yndyrnat

Yndyrnat janë të domosdoshme për rritjen normale dhe formimin e sitemit nervor, të të parit dhe funksionit të trurit. Qumështi i nënës përmban acide yndyrore të polysaturuara DHA dhe AA, të cilat konsiderohen si të domosdoshme përderisa ato nuk mund te prodhohen nga trupi i njeriut. Ushqimet e fëmijëve janë të fortifikuara me këto yndyrna. Disa studime tregojnë se qumështi organik është shpesh më i pasur se qumështi i prodhuar artificialisht. Përveç rrethanave të veçanta dhe vetëm pas rekomandimit të pediatrit apo një nutricionisti, asnjëherë mos përjashto apo redukto yndyrnat në dietën e një bebeje apo fëmije nën 5 vjeç.

Vitaminat dhe mineralet

Disa vitamina dhe minerale ndikojnë shumë në formimin e trurit të fëmijës. Këto përfshijnë hekur, zink, bakër, jod, selenium, vitaminë A, kolinë dhe acid folik. Qumështi i nënës dhe formulat për bebet përmbajnë të gjitha këto ushqyes. Nevojat e një foshnjeje janë të vogla dhe zakonisht plotësohen me konsumin e qumështit. Hekuri është i vetmi përjashtim. Studimet që kanë vlerësuar fëmijët me nivele të ulëta hekuri tregojnë performancë të ulët në testet e aftësive njohëse dhe nuk mund të ndjekin me lehtësi shokët e tyre përsa u përket ritmeve të zhvillimit.

Mrekulli
Lajmet Kryesore