Xu Shihui dhe "perandoria ushqimore" e tij

2018-03-13 16:06:40 CRI Komenti juaj Printoni

Presidenti i Grupit Ushqimor "Dali" Xu Shihui e ka kthyer një fabrikë të vogël prodhimi biskotash në një prej grupeve më të mëdha të prodhimit të llojeve të ndryshme të ushqimeve e të pijeve në Kinë, duke u quajtur një "perandori ushqimore" që konkurron gjigantë të tillë ndërkombëtarë si "Unilever", "Pepsi" dhe "Nestle". Tani pasuria e Xu Shihui-t dhe e dy pjesëtarëve të tjerë të familjes së tij i kalon 11 miliardë dollarët, duke qenë ndër familjet më të pasura në Kinë.

60-vjeçari Xu Shihui ka lindur në provincën Fujian të Kinës Lindore. Babai i tij ishte punëtor dhe kjo ishte edhe rruga që ndoqi fillimisht Xu Shihui. Por në vitin 1989 gjërat do të nisnin të ndryshonin. Xu filloi punë në fabrikën ushqimore "Huian Meili", që atëherë ishte në të ashtuquajturën "pronësi të përbashkët". Pikërisht kjo fabrikë e vogël mund të quhet pararendësja e Grupit Ushqimor "Dali". Pas tre vjetësh Xu Shihui, vetëm 24 vjeç, u bë përfaqësuesi ligjor i fabrikës, që u shndërrua në kompaninë e produkteve ushqimore "Meili". Në vitin 1997, kompania mori emrin e ri që mban edhe sot, "Dali".

Xu Shihui quan si një pikë kthese vitin 1998, kur "Dali" u zgjerua jashtë provincës, duke e shtrirë biznesin e vet gradualisht në mbarë vendin.

Xu Shihui dhe familja e tij e privatizuan kompaninë në vitin 2000. Deri atëherë ajo ishte marrë kryesisht me prodhimin e biskotave, por ai vendosi zgjerimin e gamës së produkteve e të markave të tyre. "Dali" filloi të prodhojë jo vetëm ushqime, si bukë, kekë e lloje të tjera ëmbëlsirash, por edhe pije, si çaj, lëng kikiriku e më pas edhe soje, e pije energjike. Për njëfarë kohe "Dali" arriti të prodhonte 120 marka produktesh, me synimin për të shpërndarë kështu kërcënimet e mundshme nga dështimi. "Nëse ke vetëm një markë, mund të falimentosh shpejt," thotë Xu Shihui.

Megjithatë, sot "Dali" e ka ulur numrin e markave të veta në vetëm shtatë, duke pasur megjithatë si objektiv që 20 % e të ardhurave të shitjeve të vijnë nga produktet e reja, dyfishi i mesatares në këtë industri. Në vitin 2016 për shembull, shitjet nga pija energjike "He-Tiger" e prodhuar nga "Dali" dhe që nuk kishte shumë që ishte hedhur në treg, u rritën afërsisht 70 %.

Xu Shihui është i fokusuar te tregu kinez, sepse aty i sheh mundësitë më të mëdha. "Njerëzit thonë se ritmet e rritjes së ekonomisë kineze po ngadalësohen dhe Kina nuk ka më shumë mundësi të mira biznesi", thotë Xu. "Përkundrazi, unë mendoj se në Kinë ka shumë mundësi."

Sot "Dali" është prodhuesja më e madhe e bukëve të ëmbla, e kekëve dhe e pastave në Kinë. Në gjysmën e parë të vitit 2015, fitimet neto të kompanisë arritën në 1.5 miliard juanë (mbi 235 milionë dollarë amerikanë), me një rritje vjetore afro 50 për qind. Në nëntor të po atij viti, Grupi Ushqimor "Dali" u regjistrua në Bursën e Hong-Kongut, duke krijuar tre miliarderë njëherësh: Xu Shihui-n, me 3.8 miliardë dollarë, falë zotërimit të 45 % për qind të aksioneve në "Dali"; bashkëshorten e tij, Chen Liling, që kishte 8.5 për qind të aksioneve të kompanisë; si edhe vajzën, Xu Yangyang, që njëkohësisht është zv.presidente dhe drejtore ekzekutive e kompanisë. Ajo zotëronte 34 % të aksioneve të "Dali", me vlerë 3 miliardë dollarë, duke u radhitur kështu e katërta në listen e grave më të pasura në Kinë. Sot pasuria e Xu Shihui-t dhe e familjes së tij arrin në 11.7 miliardë dollarë.

Xu Shihui thotë se suksesi i kompanisë së tij vjen nga planifikimi i mirë, zbatimi i shpejtë, prodhimi me kosto të ulët, fokusimi vetëm në një disa lloje të caktuara produktesh. Por edhe nga maturia. "Dali" është një kompani që thuajse nuk ka marrë ndonjëherë hua, që tregon kujdesin e Xu Shihui-t përballë rreziqeve.

Por sigurisht suksesi qëndron edhe te puna. Xu Shihui punon shtatë ditë në javë e gjatë rreth 40 vjetëve punë ka bërë shumë pak ditë pushim.

Të ardhurat vjetore të "Dali" i kalojnë tani 1.5 miliardë dollarët dhe ky grup renditet në listën e 500 kompanive kryesore në Kinë. "Dali" ka krijuar 18 degë në provinca të ndryshme, si edhe 30 baza prodhimi në mbarë vendin. Grupi po ashtu krijuar një rrjet kombëtar marketingu, si edhe një numër qendrash kërkimore.

Grupi "Dali" po ashtu shquhet për mbajtjen e përgjegjësisë shoqërore, mbështetur në filozofinë e presidentit të vet Xu Shihui, i cili vlerësohet si një ndër bamirësit më të mëdhenj në Kinë. "Dali" ka krijuar katër fonde në ndihmë të arsimit dhe dy fonde bamirësie. Deri tani "Dali" ka bërë dhurime me vlerë 100 milionë dollarë, duke fituar edhe "Çmimin e bamirësisë së Kinës." Kurse vetë Xu Shihuinë vitin 2014 u rendit i nënti në "Listën e bamirësve të Kinës" të hartuar nga revista "Forbes", me dhurime me një vlerë afro 20 milionë dollarë. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore