BE-ja ashpërson masat ndotësit e ajrit, Kina shënon përparime të dukshme

2018-02-14 11:03:22 CRI Komenti juaj Printoni

Ndotja e ajrit është kryer në një problem tejet shqetësues për autoritetet e Brukselit. Komisioni Europian njoftoi të hënën se do t'i rikthehej në mesin e muajit mars çështjes së nëntë shteteve të konsideruara si të prapambetura për kontrollin dhe parandalimin e ndotjes së ajrit, ndërsa kërcënoi se çështjen do ta çojë në Gjykatën Europiane Drejtësisë.

Ekzekutivi europian, i ngarkuar për të siguruar respektimin e standardeve të emetimit të gazeve ndotës nga vendet anëtare, i ka dhënë mundësinë e fundit deri të premten Gjermanisë, Spanjës, Francës, Hungarisë, Italisë, Republikës Çeke, Rumanisë, Britanisë së Madhe dhe Sllovakisë për të dorëzuar informacione shtesë.

Këto nëntë shtete rregullisht i tejkalojnë limitet e emetimeve që synojnë mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve europianë nga grimcat e pluhurit ose dyoksidit të azotit, apo dhe të dyja bashkë.

"Të gjithë shtetet anëtare të sipërpërmendura kanë dhënë informacione shtesë, që pritet të vlerësohen nga ana jonë. Ne do t'i rikthehemi kësaj çështjeje në mes të muajit marsit", sqaroi një zëdhënëse e Komisionit.

Pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura, këto shtete nuk kanë arritur në normat e lejuara.

Ndërsa BE-ja po ndeshet me probleme serioze për kontrollin dhe parandalimin e ndotjes së ajrit, Kina, një prej vendeve më të ndotura, ka shënuar disa përparime, sidomos në rajonin Pekin-Tianjin-Hebei.

Vetëm Pekini do të shpenzojë 3 miliardë dollarë në vitin 2018 për kontrollin dhe parandalimin e ndotjes së ajrit. Ky fond është 100 milionë dollarë më shumë në krahasim me vitin 2017.

Fondet do të shkojnë për kontrollin e burimeve të ndotjes si qymyrguri, emetimit të automjeteve, si dhe për të mbështetur projektet që zëvendësojnë qymyrgurin me energji të pastër në zonën rurale.

Ndërkohë, ministri kinez i Mbrojtjes së Mjedisit, Li Ganjie tha gjatë Konferencës Kombëtare të Mbrojtjes së Mjedisit 2018 se gjatë pesë viteve të fundit që nga zbatimi i "Planit të Veprimit për Parandalimin dhe Kontrollin e Ndotjes së Ajrit", është arritur qëllimi i fazës së parë, por theksoi se gjendja e përgjithshme mbetet e ashpër.

"Ka ende shumë probleme me kontrollin e ndotjes së ajrit. Për t'i trajtuar këto probleme, duhen përpjekje të mëdha dhe qëllimi përfundimtar nuk mund të arrihet brenda një dite".

Ai tha se Kina do të zbatojë një plan trevjeçar për mbrojtjen e qiellit blu, sidomos në rajonin Pekin-Tianjin-Hebei dhe zonat përreth, deltën e lumit Yangtze dhe rajonet fushore Fenhe dhe Weihe.

Sipas ministrit, Kina do të përshpejtojë transformimin e strukturës industriale, strukturës së energjisë dhe asaj të transportit, duke nxitur uljen e mbikapacitetit prodhues të hekurit dhe çelikut.

Autoritetet synojnë reduktimin e dendësisë së grimcave PM2.5 me 2 për qind për 2018-n dhe rritjen e numrit të ditëve me cilësi të mirë të ajrit në 80 për qind të vendit deri në vitin 2020.

Ministria e Mbrojtjes së Mjedisit do të zgjerojë më tej sistemin e mbikëqyrjes dhe do të nxisë reformën e menaxhimit vertikal në departamentet e mbrojtjes së mjedisit.

"Ne kemi shkruar recetën dhe kemi marrë mjekimin, të gjithë duhet ta bëjnë këtë, të gjithë duhet të veprojnë dhe të përpiqen për një rezultat edhe më të mirë në rajonin Pekin-Tianjin-Hebei dhe zonat përreth dhe mbi 26 qytete. Duke përcaktuar objektivat, ne duhet të kemi njerëz për të verifikuar përmbushjen e tyre," tha ministri Li.

Këshilli i Shtetit i Kinës nxori në vitin 2013 'Planin e Veprimit për Parandalimin dhe Kontrollin e Ndotjes së Ajrit'. Ai përcakton masat kyçe që duhen zbatuar, si dhe shërben si një udhëzues për përpjekjet kombëtare për të parandaluar dhe kontrolluar ndotjen e ajrit për të tashmen dhe të ardhmen e afërt.

Mrekulli
Lajmet Kryesore