Zakonet e festimit të Vitit të Ri Kinez

2018-02-14 19:37:07 CRI Komenti juaj Printoni

 

Festa e Pranverës (Viti i Ri Kinez sipas kalendarit hënor) është festa më e rëndësishme e kombit kinez. Historia e kremtimit të Festës së Praverës nga kinezët është mbi 4000-vjeçare. Sipas legjendës, pas hipjes në fron, perandori Shun, bashkë me funksionarë të tjerë, kryen ritin e adhurimit të Qiellit e Tokës dhe ajo ditë u përcaktua si fillimi i një viti. Kjo është origjina e Festës së Pranverës.

Festa e Pranverës është 1 janari sipas kalendarit hënor, kurse festimi fillon një javë më parë dhe zgjat deri në Festën e Fenerëve më 15 janar po sipas kalendarit hënor. Gjatë mijërave vjetëve, janë formuar një sërë zakonesh kremtimi të festës, si për shembull zbukurimi i shtëpisë në prag të festës, darka e ribashkimit familjar, nderimi i paraardhësve, hedhja e fishekzjarrëve etj. Këto zakone kanë të përbashkët dhënien e lamtumirës vitit të vjetër dhe pritjen e vitit të ri.

Zbukurimi i shtëpisë

Disa ditë para Festës së Pranverës, familjet kineze fillojnë ta pastrojnë e ta zbukurojnë shtëpinë. Në dy anët e pragut të derës së shtëpisë ngjiten dyvargësha me urime për festën të shkruara mbi letër të kuqe. Në dritare ose në mure ngjiten hieroglifi kinez "fu" (lumturi) ose piktura të Vitit të Ri. Në shumë familje varen edhe fenerë të kuq. Në qytetin Guangzhou etj. të Kinës Jugore, qytetarët kanë traditë të blejnë lule të freskëta për ta pritur Vitin e Ri Hënor.

Darka e Vitit të Ri (Darka e ribashkimit familjar)

Festa e Pranverës është një festë e ribashkimit të familjeve kineze. Pavarësisht ku punojnë e jetojnë, para festës, kinezët duhet të kthehen në vendlindje për të kremtuar festën së bashku me familjarët e të afërmit e tyre. Si simbol i ribashkimit të familjes, darka në vigjiljen e Vitit të Ri Hënor quhet edhe darka e ribashkimit familjar. Kjo është darka më e larmishme në tërë vitin. Të gjithë anëtarët e familjes ulen së bashku pranë tryezës, duke ngrënë e duke biseduar, si edhe duke shkëmbyer urime për Vitin e Ri me njëri-tjetrin. Në këtë darkë ka gjellë të pasura, ndër të cilat nuk duhet të mungojë edhe pjata me peshk, sepse fjala "peshk" në gjuhën kineze ka shqiptim të ngjashëm me fjalën "tepricë". Në veri të Kinës, familjet hanë zakonisht jiaozi, ose ravioli kineze, për të mirëpritur ardhjen e Vitit të Ri.

Pas darkës së ribashkimit, shumë familje ulen para televizorit për të parë koncertin e madh të Festës së Pranverës që transmetohet në Televizionin Qendror të Kinës. Kjo mbrëmje artistike me përmasat më të mëdha në botë, filloi në vitin 1983, ku artistë e yje nga mbarë Kina sjellin për shikuesit interpretimet e tyre më të mira. Tani shikimi i koncertit të madh të Festës së Pranverës është bërë një traditë e shumë familjeve kineze.

Hedhja e fishekzjarrëve

Hedhja e fishekzjarrëve në Festën e Pranverës është një zakon i lashtë në Kinë. Sipas legjendës, shumë kohë më parë, gjithmonë në vigjiljen e Vitit të Ri Hënor, vinte një përbindësh me emrin Nian. Për ta dëbuar përbindëshin, njerëzit dogjën bambu të trashë dhe zhurma e madhe e lëshuar gjatë djegies mundi ta frikësonte atë. Gradualisht djegia e bambusë u bë një traditë në Vitin e Ri Kinez. Pas shpikjes së barutit, kinezët filluan të përdorin fishekzjarrët për ta zëvendësuar bambunë. Sot hedhja e fishekzjarrëve në Vitin e Ri u sjell njerëve atmosferën e gëzuar të festës, duke simbolizuar jetën e bukur në tërë vitin.

Shprehja e urimeve me rastin e Vitit të Ri

Një zakon tjetër i rëndësishëm në Festën e Pranverës është shprehja të afërmve e miqve e urimeve me rastin e Vitit të Ri. Njerëzit i shprehin njëri-tjetrit urimet e festës. Veçanërisht fëmijët duhet t'u shprehin përshëndetje e urime me rastin e festës të moshuarve të familjes. Si përgjigje, të moshuarit duhet t'u japin fëmijëve para për Vitin e Ri, të futur në zarfa të kuq, që shpreh urimin që ata të rriten të shëndetshëm.

Si një vend i madh, krahinat e ndryshme të Kinës kanë zakonet e tyre të kremtimit të Vitit të Ri, si për shembull vizita në panairet e tempujve, nderimi i paraardhësve etj. Sot kremtimi i Festës së Pranverës është jo vetëm zakoni i kombit kinez, por gjithnjë e më shumë të huaj po e festojnë atë. Liderë të shumë vendeve të botës u shprehin kinezëve që jetojnë në këto vende urime me rastin e festës. (Fani)

Mrekulli